Shqipëri, në 2020 rënia ekonomike 3.31 për qind

Shqipëria

Shqipëri, në 2020 rënia ekonomike 3.31 për qind

Më: 31 mars 2021 Në ora: 21:28
INSTAT

Në Shqipëri, rritja ekonomike përgjatë vitit 2020 vlerësohet të ketë shënuar një rënie prej 3.31 përqind, sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti i Statistikave. Niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto rezulton të jetë më lartë edhe se sa vetë pritshmëritë e Qeverisë shqiptare dhe dukshëm në diferencë me ato të institucioneve financiare ndërkombëtare. Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ishin për një recesion në kuotat e –7.5 përqind, ndërsa ato të Bankës Botërore për -6.7 përqind.

Ekonomia shqiptare mori një goditje të parë që në dimrin e vitit 2019, për shkak të tërmetit të fortë që ra në nëntor. Për pasojë në tremujorin e parë, aktiviteti ekonomik zbriti në -2,52 përqind, ndikuar pjesërisht dhe nga efektet e pandemisë COVID 19 e cila ishte në fillimet e saj. Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rënie të forte më pas, në tremujorin e dytë të vitit, duke u tkurrur me 10.29 përqind, si pasojë e mbylljes së gjithanshme të aktiviteteve jo vetëm në vend por dhe në pjesën tjetër të botës, si përpjekje për parandalimin e pandemisë. Me përjashtim të Bujqësisë dhe sektorit të Pasurive të patundshme, të gjitha degët e tjera të ekonomisë rregjistruan rënie të forte, e cila u zbut në tremujorin e tretë, kur ekonomia u tkurr me -3.47 përqind.

Të dhënat e sotme të INSTAT-it, tregojnë së në tremujorin e fundit ekonomia vendase shënoi një kthesë, duke dalë nga terreni negativ, e duke shënuar një rritje prej 2,99 përqind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019. Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë patën një aktivitet pozitiv, të udhëhequra nga Ndërtimi, i cili u rrit me 18,48 %. Ky është dhe sektori me një peshë specifike në strukturën e PBB-së, duke kontribuar me 1.84 pikë përqindje.

Përjashtim në këtë tremujor, bëri Grupi i aktivitetiteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me një rënie prej 5.51 përqind, por dhe Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me -2,91 përqind./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat