Taulant Balla: Po goditen rrjetet e trafikut të drogës, duhet të kapen kokat e tyre

Shqipëria

Taulant Balla: Po goditen rrjetet e trafikut të drogës, duhet të kapen kokat e tyre

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 15:51
Taulant Balla

Pas arrestimeve të fundit në Tiranë dhe Sarandë në kuadër të operacioneve të Policisë Shqiptare për të kapur trafikantët e drogës, ka reaguar  Ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Ai tha se janë shënuar rezultate konkrete nga Policia, por në ditët e ardhshme pret më shumë sukses, duke u goditur “kokat” e grupeve kriminale sa më shpejt.

“Policia e Shtetit po godet rrjetet e shpërndarësve të lëndëve narkotike duke shënuar rezultate konkrete, siç janë aksionet e fundit në Tiranë dhe Sarandë. Ndërsa pres më shumë rezultate në ditët e ardhshme, ripërsëris domosdoshmërinë që të shkohet tek “kokat” e këtyre grupeve kriminale sa më shpejt”, shkroi Ministri në Facebook.

Përndryshe sot në Tiranë arrestuar tre persona në flagrancë të cilët dyshohen se shisnin kokainë, ndërsa në veturën ku ishin u sekuestruan 1 kilogramë e 52 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 1mijë e 400 euro, 78 mijë e 900 lekë (728 euro), dhe katër aparate celulare.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas furnizonin disa rrjete shpërndarësish, në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e 21-Dhjetorit”, shkruan Policia Shqiptare.

Arrestimi është bërë në kuadër të operacionit “Three stars”,  që ka për synim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat