Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë është mbushur me gurë dhe sende të tjera pas përfundimit të protestës së dhunshme.
Në terren janë angazhuar punonjësit për largimin e materialeve të shpërndara në rrugë, me qëllim pastrimin dhe normalizimin e lëvizjes në bulevard.
Protesta e 28 Nëntorit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Në disa momente u përdorën mjete piroteknike, bomba molotov, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 18:00 në strukturat spitalore janë paraqitur gjithsej 35 persona për ndihmë mjekësore. Mes tyre janë 9 efektivë policie. Po ashtu, në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore 12 protestues, ndërsa njëri prej tyre është larguar nga spitali me këshillën e mjekut.
Në mesin e të lënduarve janë edhe 6 përfaqësues të medias, përfshirë një gazetare të huaj. Një prej tyre ka lënë spitalin pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore. Bilanci përfshin edhe tre kalimtarë të rastit, të cilët kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve të regjistruara në protestë.
Policia mësyn ndaj protestuesve të mbetur në sheshin “Skënderbej”, nisin shoqërimet
Policia ka ndërhyrë sërish në sheshin “Skënderbej”, duke u vërsulur drejt protestuesve që kishin mbetur ende në zonë pas shpërndarjes së pjesës më të madhe të turmës.
Efektivët kanë avancuar drejt qytetarëve, ndërsa gjatë ndërhyrjes kanë kryer edhe shoqërime të protestuesve.
Situata vjen pas disa orësh përplasjesh të dhunshme, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me molotovë.
Deputeti Erald Kapri sulmohet nga policia me lëndë helmuese në protestë
Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri është sulmuar me lëndë helmuese nga policia në protestë ditën e sotme.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet që ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, deputeti Kapri ishte duke filmuar momentet kur i kërkonte llogari efektivëve me skafandra dhe kokore që sulmonin dhe i godisnin protestuesit teksa i ndiqnin nga pas.
Në këto momente, deputeti i Mundësia ka kërkuar llogari nga efektivët përse po i dhunojnë protestuesit që ishin paqësorë.
Edhe pse u identifikua që ishte deputet, Kapri është sulmuar me lëndë helmuese nga një efektiv policie.
“Para syve të mi, disa të rinj po goditeshin nga policia pa mëshirë me shkopinj gome. Teksa u kërkoja të ndalonin, një polic që më kishte identifikuar më erdhi nga pas dhe më hodhi pabesisht një sasi të madhe gazi helmues drejt e në fytyrë. Nëse një polic guxon ta bëjë këtë ndaj një deputeti, mes sheshit, mendoni çfarë u kanë bërë të rinjve nëpër rrugica! Do mbani përgjegjësi, një më një! Nuk na ndalni!”, shkruan Kapri në rrjetet sociale.
Koçiu: Protesta e dhunshme nuk përfaqëson as Shqipërinë dhe as shqiptarët
Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Albana Koçiu ka reaguar pas protestave të dhunshme në Tiranë, duke thënë se kjo është një përsëritje e avazit të vjetër “të atyre që sa herë vendi feston, përpiqen ta tërheqin në baltën e tyre”.
Protesta e dhunshme në Ditën e Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ka shkaktuar reagimin e zëvendëskryeministres Albana Koçiu, e cila ndau sot pamje nga sulmi me molotovë dhe gurë ndaj Policisë së Shtetit dhe institucioneve.
“Për të satën herë, një protestë e dhunshme që nuk përfaqëson as Shqipërinë dhe as shqiptarët. Kjo është fytyra e vërtetë e politikës së rrugës pa rrugëdalje, që sot nuk kurseu as Ditën e Flamurit, duke e kthyer festën e kombit në një sulm të verbër ndaj Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit. Gjithmonë me dhunë, gjithmonë në anën e gabuar të historisë!”, tha zëvendëskryeministrja.
“Të përpiqesh të mbulosh dhunën me flamurin kuqezi nuk të bën patriot, por thjesht një përdorues të vogël të një simboli të madh”, shtoi Koçiu.
Ajo theksoi se pamjet e sotme plot dhunë rrugëve të Tiranës, nuk nderojnë historinë e pavarësisë dhe sakrificat e brezave, as të ardhmen evropiane të Shqipërisë, dhe se ato janë përsëritje avazit të vjetër të atyre që, “sa herë ky vend feston, zhvillohet dhe ecën përpara, përpiqen ta tërheqin në baltën e tyre.”
Të paktën 35 persona janë lënduar, në mesin e tyre policë dhe protestues, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila iu referohet përditësimeve të fundit nga ora 18:00.
Protesta e dhunshme në Ditën e Pavarësisë: 35 të lënduar e 16 të arrestuar
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, në përditësimin e orës 18:00, ka bërë të ditur bilancin e personave të lënduar përgjatë protestës së sotme të dhunshme në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 persona të lënduar, prej tyre nëntë policë, 12 protestues, gjashtë përfaqësues të medias, një prej tyre shtetase e huaje, dhe tre kalimtarë.
Dy policë janë transferuar për trajtim në QSUT. Ndërkohë, një protestues dhe një përfaqësues i medias kanë lënë Spitalin e Traumës me këshillën e mjekut.
Në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim 26 pacientë, që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre policë, një protestues dhe një punonjës sigurie.
Sipas përditësimit zyrtar, deri në orën 18:00, gjithsej katër të lënduar kanë lënë spitalin.
Ndërkohë 16 persona janë shoqëruar në polici pas përplasjeve dhe tensioneve.
Një grua e një djalë tentuan të shpëtojnë protestuesin, policia hedh gaz lotsjellës
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë po vijojnë në orët e mbrëmjes pothuajse pandërprerë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të shoqëruar një prej pjesëmarrësve në protestë, ndërkohë që persona të tjerë kanë ndërhyrë për ta penguar shoqërimin e tij, mes tyre një grua dhe një djalë.
Situata është tensionuar edhe më tej pasi që policia ka përdorur gaz lotsjellës në drejtim të personave që përpiqeshin të ndalonin ndërhyrjen e efektivëve.
Protestuesit rrëzojnë dronin përcjellës në Tiranë
Një dron i policisë që përdorej për të përcjell turmën e protestuesve është rrëzuar në Tiranë.
Rrëzimi i tij është bërë nga disa protestues, të cilët më pas edhe e kanë shkatërruar atë.
Protesta e sotme në Tiranë po kalon me tensione dhe përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë.
Kjo e fundit po përdor gazin lotsjellës dhe autobotit me ujë për shpërndarjen e protestuesve.
Më herët këta të fundit kanë thyer xhamat a ndërtesës së Bashkisë së Tiranës.
Protestuesit thyejnë dritaret e Bashkisë së Tiranës
Protestuesit kanë hedhur sende në drejtim të autobotit të policisë dhe kanë thyer xhamat e ndërtesës së Bashkisë së Tiranës.
Gjatë protestës në kryeqytet e cila vijon mes tensioneve dhe incidenteve, protestuesit kanë brohoritur “Poshtë diktatura”, ndërsa situata në zonën pranë Bashkisë është tensionuar më tej.
Policia ka përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe menaxhuar situatën.
Protesta është shoqëruar gjatë orëve të fundit edhe me hedhje molotovësh në drejtim të institucioneve, si dhe me raportime për protestues të lënduar.
Gruaja përleshet me policinë, rrëzohet dhe tërhiqet zvarrë
Një grua është rrëzuar në rrugë gjatë ndërhyrjes së forcave të Policisë për shpërndarjen e protestuesve, gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Në pamjet e publikuara, gruaja, e cila mban në dorë një çadër shiu, shihet teksa përplaset me një efektiv policie dhe e godet atë.
Efektivi më pas e shtyn gruan, e cila humb ekuilibrin dhe rrëzohet në tokë, në mes të tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara në zonë.
Pas rrëzimit, disa protestues i afrohen menjëherë dhe i vijnë në ndihmë, duke e ndihmuar të ngrihet dhe të largohet nga zona ku po zhvilloheshin përplasjet.
Incidenti është regjistruar gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, të cilat kanë përdorur autobotët e ujit dhe kanë dislokuar efektivët e FNSH-së për të shpërndarë turmën dhe për të marrë nën kontroll situatën.
Hidhen molotovë drejt Bashkisë së Tiranës, policia mbush sheshin me gaz lotsjellës
Protesta në Tiranë vijon të jetë e tensionuar pasi incidentet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë intensifikuar.
Gjatë zhvillimeve të fundit janë hedhur bomba molotov në drejtim të Bashkisë së Tiranës dhe ministrisë që ndodhet pranë saj.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve, duke mbushur me tym zonën përreth sheshit.
Ndërkohë, numri i personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë ka shkuar në gjithsej 19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 15:15, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 të lënduar, mes tyre pesë policë, katër përfaqësues të medias dhe tetë protestues.
Fatmirësisht, të gjithë të lënduarit ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.