Paketa ‘një miliard’ mbyllet me katër rrugë, por… shqiptarët do të paguajnë sërish

Shqipëria

Paketa ‘një miliard’ mbyllet me katër rrugë, por… shqiptarët do të paguajnë sërish

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 16:24
Autostrada

Tenderi për rrugën Orikum-Dukat, përmbyll përfundimisht programin “1 miliard euro” të koncesioneve në infrastrukturë.

Ndonëse në fillim ishin parashikuar të ndërtoheshin një sërë veprash publike, kufiri “1 miliard euro”, i programit është arritur me vetëm 4 rrugët kombëtare, për dy nga të cilat është nënshkruar sakaq kontrata, ndërkohë që dy të tjera janë në proces tenderimi.

Përveç aksit Orikum-Dukat, tre veprat e tjera janë Rruga e Arbrit, ajo Thumanë-Kashar, si dhe segmenti Milot-Balldren. Të katër këto rrugë do të jenë pa pagesë kalimi. Ato do të ndërtohen nga privatët dhe qeveria do i shlyejë më këste.

Sipas përllogaritjeve, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe interesat që do i paguhen privatëve për 13 vjet, kostoja totale e këtyre katër veprave e tejkalon kufirin 1 miliard euro.

Ndaj ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës, kanë vendosur të mos pranojnë më koncesione që paguhen nga buxheti.

Por përfundimi i programit “1 miliard euro” nuk nënkupton që qeveria nuk do të japë më rrugë të tjera me koncesion.

Burime nga ministria e Infrastrukturës thonë se, koncesionet do të vazhdojnë, por projektet e reja do të jenë të gjitha me pagesë kalimi nga qytetarët dhe nuk do të paguhen nga buxheti.

Një nga akset kryesore që qeveria ka në plan të koncesionojë përmes kësaj formule, është autostrada Tiranë-Durrës. Synimi është që kjo rrugë të rikonstruktohet me koncesion nga një kompani private.

Sipas projektit paraprak, vlera e koncesionit pritet të jetë 170 milionë euro dhe do të paguhet nga qytetarët përmes tarifës së kalimit.

Veç rrugës Tiranë-Durrës, dy akse të tjera që mund të jepen me këtë formulë, nëse do të ketë oferta nga privatët, janë rruga Kashar-Rrogozhinë dhe ajo Kardhiq-Sarandë, të cilat edhe këto do të jenë me pagesë kalimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat