Zjarrfikësi tregon për intervenimin në spitalin modular të Tetovës: Prioritet i yni ishte t’i nxjerrim pacientët më shpejtë

Tetova

Zjarrfikësi tregon për intervenimin në spitalin modular të Tetovës: Prioritet i yni ishte t’i nxjerrim pacientët më shpejtë

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 11:13
Komandanti i shërbimit të kundërzjarrit në Tetovë, Uka Aliti

(E plotësuar 12:04) - Uka Aliti nga Njësiti Zjarrfikës i Tetovës ka thënë se derisa kanë intervenuar mbrëmë në spitalin modular të Tetovës, prioritet e kanë pasur largimin e pacientëve nga objekti, derisa ka shtuar se nuk janë në dijeni nëse spitali ka sistem kundër zjarrit.

Ai ka deklaruar se në vendin e ngjarjes ku ishte kapluar nga zjarri kanë arritur për 5 minuta por nuk e dinë numrin e personave të cilët kanë arritur t’i largojnë nga objekti.

Aliti: Prioritet i yni ka qenë t’i nxjerrim pacientët jashtë objektit që ishte përfshirë nga zjarri

“Prioritet i ynë ishte që njerëzit si pacientët të cilët trajtoheshin në atë spital t’i nxjerrim sa më shpejtë. Numrin e saktë nuk mund ta them dhe nuk mund ta di meqenëse secili zjarrfikës i cili ishte në detyrë dhe që kryente obligimet e tij mundoheshim sa më shumë të nxjerrim, numrin e saktë nuk mund ta di”, ka thënë ai.

Aliti ka bërë të ditur se gjatë operacionit në ndihmë u kanë dalur edhe mjekë e infermierë dhe qytetarë të cilët ishin përreth vendit të ngjarjes.

Aliti: Për 4-5 minuta kemi arrit në spitalin modular të Tetovës që ishte përfshirë nga zjarri

“Ne për 4-5 minuta veç kemi arrit në vendin e ngjarjes pas paraqitjes së zjarrit, por vetëm një detonim kemi arrit ta dëgjojmë dhe atë mendoj nga rryma elektrike që ndodhi, ndërsa thuhet që ka pasur edhe një detonim tjetër nga ndonjë bombole e oksigjenit, por duke marrë parasysh që oksigjeni nuk është ndezës dhe nuk është i rrezikshëm, oksigjeni është vetëm si forcues derisa eksplodon bombola e oksigjenit, ajo është si forcues apo i jep fuqi zjarrit të përhapet. Mirëpo me intervenimin tonë në dy anët e objektit, meqenëse dy automjete kemi hyrë Brenda në hapësirat e spitalit dhe me një automjet faktikisht katër ekipe kemi qenë të formuara për këtë rast, kemi fut zjarrin nën kontroll shamë shpejtë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nuk kanë pasur kohë të shohin nëse spitali kishte pajisje të instaluara kundër zjarrit.

Mbrëmjen e së mërkurës spitali modular i Tetovës ku po trajtoheshin pacientët për Covid-19, u përfshi nga zjarri ku nga kjo ngjarje tragjike mbetën të vdekur dhjetëra persona dhe të tjerë u lënduan.

Autoritet janë duke punuar në identifikimin e viktimave ndërsa Tetova ka shpallur tre ditë zie për viktimat e këtij rasti tragjik./

Aliti: Luftonim për të shpëtuar jetë, mund të ishte edhe katastrofë më e madhe

Komandanti i shërbimit të kundërzjarrit në Tetovë, Uka Aliti sot ka pasur paraqitje para mediave.

Ai tha se para arritjes së tyre në vendngjarje ka pasur një shpërthim, ndërsa zjarri është lokalizuar brenda 30 minutave.

“Flakët e zjarrit ishin aq të mëdha, mundoheshim që flakët e zjarrit t’i shuajmë por edhe në anën tjetër zjarrfikësit tjerë të bëjnë evakuimin apo nxjerrjen e njerëzve që ishin në atë objekt”, tha ai.

Zjarri kishte filluar në pjesën e përparme të objektit të spitalit të Kovidit, ndërkaq njoftimin e parë e kishin pranuar në ora 21:02.

“Ka mundur të jetë një katastrofë edhe më e madhe”, tha Aliti më tej teksa tregon për intervenimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat