Tre muaj nga zjarri tragjik në Tetovë/ Ende asnjë përgjigje për shkaqet

Tetova

Tre muaj nga zjarri tragjik në Tetovë/ Ende asnjë përgjigje për shkaqet

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 16:55
Foto ilustrim

8 shtator, ora 21 minuta zjarri shpërtheu në spitalin modular të Tetovës.

Për rreth 5 minuta zjarri shkrumboi çdo gjë deri në tokë duke shkaktuar vdekjen e 14 personave, 12 prej tyre pacientë me Covid.

Sot, saktë tre muaj pas tragjedisë, ende nuk është plotësisht e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin. Hetuesit nga vendi kanë konstatuar se zjarri ka shpërthyer nga një kabllo zgjatuese, në të cilin ishin lidhur tre pajisje, duke përfshirë një defibrilator dhe një karikues celulari, por hetimi ka vazhduar me analizimin e tragjedisë nga ekspert i Fakultetit Teknik dhe ekspert i rrymës. Raportet e tyre ende nuk janë publikuar.

“Lënda është në fazën e procedurës para- hetimore ku po ndërmerren veprime intensive për vërtetimin e fakteve. Raportet e pranuara në Prokurori analizohen në korrelacion me provat e tjera, por Prokuroria Publike nuk mund të ndajë detaje. Pritet ekspertizë nga ekspertët gjerman, e cila është kërkuar përmes asistencës juridike ndërkombëtare, e cila ende nuk ka ardhur”, thonë nga Prokuroria.

Askush nuk e di pse është zvarritur ekspertiza e ekspertëve gjerman e as nuk ka informacion kur do të arrijë. TV Alsat përsëri pyeti në policinë kriminalistike të Gjermanisë se deri ku është raporti, por nuk u përgjigjën.

“Zyra federale për polici kriminalistike u kontaktua nga Qeveria e Maqedonisë për mbështetje lidhur me zjarrin në qytetin e Tetovës. Kërkojmë nga ju mirëkuptim se s’mund të japim informacione shtesë për procedurën e policisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë kriminalistike të Gjermanisë.

Nga Qeveria thonë se ekspertët gjermanë janë ftuar si mbështetje në hetimin e Prokurorisë publike dhe presin raporti drejtpërdrejtë të ridërgohet atje.

Ministri dhe zëvendësministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe Ilir Hasani dhanë dorëheqje për tragjedinë, por dorëheqjet nuk u pranuan. Dorëheqjet e drejtorëve të spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi janë në tryezë, ata do të largohen pas zgjedhjes së drejtorëve të ri, por procesi ende nuk ka filluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat