Tetovë, të parët që luftojnë me zjarret nuk kanë pajisje të mjaftueshme

Tetova

Tetovë, të parët që luftojnë me zjarret nuk kanë pajisje të mjaftueshme

Më: 4 janar 2022 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Edhe pse janë të parët që luftojnë me zjarret dhe rrezikojnë jetët e tyre, njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë ka mungesë të pajisjeve vetanake, atyre kolektive si dhe automjeteve. Komandanti i kësaj njësie, Uka Aliti shprehet se kërkojnë vetëm pajisje për mbrojtjen e qytetarëve, sepse siç thotë ai, vullnetin për punë e kanë. Nga ana tjetër, Komuna nuk është e sigurtë nëse mund të sigurojë para për zjarrfikësat, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse gjatë gjithë vitit kanë shuar mbi 600 zjarre, zjarrfikësit e Tetovës çdo ditë përballen me mungesë të pajisjeve të mjaftueshme të punës, të cilat krijojnë kushte jo të volitshme për punë.

Komandanti Uka Aliti, gjatë debatit për buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2022 u shpreh se kanë bërë plan-programin dhe se kërkojnë mjete pune, pajisje për mbrojtjen e qytetarëve.

“Ne si njësi territoriale kundër zjarrit në Tetovë nuk merremi vetëm me shuarjet e zjarreve dhe shpëtimin e njerëzve, por edhe me fatkeqësi natyrore që ndodhin në Komunën e Tetovës duke shtuar dhe pesë komunat tjera rurale, që është një barrë e rëndë për Komunën e Tetovës sa i përket anës financiare pasi mbulojmë edhe këta pesë komuna. Besoj që kryetari i komunës do të gjejë metoda që edhe komunat tjera të ndihmojnë Komunën e Tetovës sa i përket shërbimeve që bëjmë te komunat tjera rurale. Neve si njësi, nevoja të mëdha kemi, si në pajisje vetanake, pajisje kolektive dhe në automjete. Dua të them që jemi qind për qind të përkushtuar për qytetarët e Tetovës dhe për momentin për pesë komunat tjera, por nëse e kërkon nevoja edhe më gjerë. Jo mjete financiare por pajisje për mbrojtjen e qytetarëve”, tha Uka Aliti.

Ndër të tjera gjatë debatit nga qytetarët u theksua edhe nevoja që kjo njësi të pajiset me një qendër fitnesi, pasi aty ka një sallë gjimnastike por aty mungojnë pajisjet e duhura për ushtrime.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se njësia e zjarrfikësve është një ndër njësitë më të rëndësishme, ku do të ketë përkushtimin e tij të veçantë për këtë njësi, jo vetëm për sallë fitnesi por edhe për kushte tjera të cilat do të duhet t’i plotësojnë.

“Përsëri nuk mund të flas me siguri të plotë se a do të jetë nga buxheti i komunës por se do të duhet të angazhohemi më shumë për sektorin për zhvillim ekonomik lokal të përpilojmë projekte dhe të aplikojmë për fonde të jashtme që njësia për mbrojte kundër zjarrit të jetë në krye të detyrës”, tha ai.

Gjatë seancës së katërt të Këshillit Komunal, këshilli votoi për të pranuar një donacion nga UNDP-ja që është automjet zjarrfikësi.

Udhëheqësi i sektorit të financave në Komunë, Festim Zeqiri njoftoi se është projekt ku janë të kyçura tre komuna, e Tetovës, Zhelinës dhe Bërvenicës. Ku komuna e Tetovës do duhet të ko-financojë në këtë pjesë me 5 mijë euro, që do të bëhet gjatë vitit 2022, Zhelina me 5 mijë euro dhe Bërvenica me 2 mijë euro. Ko-financimi i komunave në këtë rast është me instalimin e disa pajisjeve shtesë që janë të nevojshme për atë automjet. Automjeti është i vitit 2021 me model ISUZU D-MAX CREW N60B,1.9 Ddi163ks ndërsa kap vlerën prej 1.774,031,00 denarësh, pa përllogaritje të TVSH-së.

Ndryshe, Njësia Zjarrfikëse Territoriale e Tetovës është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore si njësi që mbulonte rajonin e Tetovës dhe mjediset rurale. Sot numëron 14 automjete dhe 74 zjarrëfikës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat