I nxjerr 50 euroshin policit në Rinas, arrestohet 36-vjeçari

Tirana

I nxjerr 50 euroshin policit në Rinas, arrestohet 36-vjeçari

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 14:44
Rinas

Tentoi të korruptojë policin në pikën kufitare të Rinasit arrestohet 36-vjeçari.

Sipas asaj që njofton Policia, i ndaluari kishte plotësuar ditët e qëndrimit në zonën Schengen dhe për të mundësuar kalimin i kishte ofruar oficerit të policisë 50 euro.

Policia: Shtetasi F. A., 36 vjeç, rreth orës 09:30 është paraqitur në aeroport, për të udhëtuar drejt një vendi të BE-së. Pas mbërritjes në kabinën e kontrollit kufitar, ky shtetas ka paraqitur pasaportën e tij si dokument udhëtimi dhe boarding pass.

Nga ana e efektivëve të Policisë Kufitare i është kërkuar një dokumentacion shtesë që të justifikonte qëllimin e udhëtimit të tij, pasi u konstatua se kishte konsumuar afatin e qëndrimit në zonën Schengen.

Ky shtetas nuk ka pasur ndonjë dokument qëndrimi në vendet e zonës Schengen dhe për këtë arsye është njoftuar nga ana e punonjësve të Policisë Kufitare se do i refuzohej dalja nga Shqipëria.

Pasi ka marrë këtë njoftim, shtetasi F. A. ka nxjerrë një kartëmonedhë 50 euro, me të cilën ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare.

Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. A., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat