Veliaj: 2021, viti i rimëkëmbjes

Tirana

Veliaj: 2021, viti i rimëkëmbjes

Më: 1 janar 2021 Në ora: 15:16
Erion Veliaj

Pak para ndërrimit të viteve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa uroi shqiptarët për vitin 2021, përmes një videomesazhi kujtoi edhe sfidat dhe vështirësitë e vitit që lamë pas.

“Një vit nga jeta jonë iku, për t’i lënë vendin një viti tjetër me të tjera sfida, por me shpresë dhe gëzime të reja. Ky ishte një vit i vështirë, një nga vitet më të vështirë të këtij shekulli, por të bashkuar treguam se shpirti i këtij qyteti triumfon mbi çdo vështirësi. Për të ruajtur njëri-tjetrin, shumë nga ne jemi të detyruar t’i festojmë këto festa të ndarë nga familjet, miqtë dhe të dashurit tanë, por me zemrën e mbushur plot dhe të bindur se po bëjmë më të mirën për vete dhe për ta, do trokasim gotat e shpirtit të mbushura me dashuri dhe do t’i urojmë njëri-tjetrit gëzuar këtë vit të ri”.

Për kryebashkiakun e Tiranës, viti 2021 do të jetë viti i rimëkëmbjes.

“Pasi kaluam një vit sprovash të forta, jam i sigurt se 2021 do vijë shumë i mbarë. Të gjithë ne sot jemi më të fortë dhe në zemrat tona dashuria për njëri-tjetrin është më e madhe se kurrë. Ky do jetë viti i RINGRITJES. Do jemi bashkë për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit në çdo familje, spital, shkollë, shesh apo biznes që ka nevojë”.

Në të gjithë qendrat sociale, Bashkia e Tiranës ka ofruar ushqime në mënyrë që askush në këto ditë festive të mos ndihet vetëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat