Problematika me autobusët në kryeqytet

Tirana

Problematika me autobusët në kryeqytet

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 11:18
Tiranë

Kompanitë e transportit publik në kryeqytet nuk respektojnë orarin e lëvizjes së autobusëve.

Detyrimin për kontrollin e tyre me qëllim rritjen e cilësisë në shërbim e ka Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas kësaj agjencie në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë kryer mbi 4500 kontrolle dhe janë vendosur 574 masa administrative.

Gjobat më të shpeshta janë pikërisht për mosrespektimin e orarit të lëvizjes.

Pavarësisht vendosjes së gjobës, e cila është vetëm 5.000 lekë, sërish situata ka mbetur po e njëjta.

Por, ndërsa flasim për orarin e lëvizjes, ky orar nuk është i pasqyruar në stacionet e autobusëve, kështu qytetarët mbesin në pritje pa kuptuar se kur po afrohet autobusi.

Përveç pritjes së gjatë, qytetarët ankohen edhe për kushtet dhe tejmbushjen e tyre.

“Po pres Zoologjikun, po bëj një orë që pres. Hajde rri këtu, të sëmurë jemi”, tha një qytetar.

“Ndonjëherë sa dalim, ndonjëherë vonohen. Sot janë vonuar, unë jam për vizitë, u mërzita me thënë të drejtën”, u shpreh një tjetër.

“Si rregull është 10-15 minuta, po ka herë që presim edhe gjysmë ore. Linjat nuk janë të rregullta, autobusët janë me sedilje pak, ja si janë 70% në këmbë”, tha një burrë.

Prej vitit 2013 shërbimi i transportit publik urban kryhet vetëm nga operatorët privatë.

Por, përgjegjës për përmirësimin e shërbimit urban është Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.

Burime nga bashkia e Tiranës thonë për Euronews Albania se së shpejti shërbimi i transportit publik qytetas do të riorganizohet.

Itineraret e 15 linjave urbane në kryeqytet, kushtet e shërbimit dhe orari i pritjes së qytetarëve në stacion janë në qendër të këtij ristrukturimi që nuk dihet ende sa kohë do të marrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat