Veliaj: Tirana e mbyll këtë mandat me 40 shkolla të reja

Tirana

Veliaj: Tirana e mbyll këtë mandat me 40 shkolla të reja

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 07:17
Foto ilustrim

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se “me 12 shkollat e reja që hapen këtë vit në Tiranë numri i institucioneve arsimore të ndërtuara, disa prej të cilave mbajnë firmën e Stefano Boerit, arrin në 40”.

Në fjalën e tij gjatë përurimit të shkollës “Andrea Stefani” në Laprakë, Tiranë, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, mësues, nxënës, etj., Veliaj tha se “ndërtimi i shkollave të reja në Tiranë është një projekt që e filluam me Edin në ditën e parë të qeverisë dhe është një nga projektet që është sulmuar më shumë: “Ç’janë këto shkolla që bëhen nga 5 në një dorë?”, thonin. Por, ishte e vetmja mënyrë, sepse nëse vazhdonim me ritmin tonë burokratik, të ndërtimit të një shkolle në vit, Tirana nuk e kapte ritmin për 65 vjet, krahasuar me sa rritet dhe nevojat që ka për shkolla të reja”.

“Kjo ishte arsyeja përse vendosëm në atë paketë të parë 17 shkolla të reja, kurse me programin e rindërtimit shtuam edhe 23 të tjera. Në total, Tirana do ta mbyllë këtë mandat me 40 shkolla të reja. Kjo është nisma më e rëndësishme për arsimin që pas Luftës së Dytë Botërore,” u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se me këtë shkollë, të gjitha familjet e zonës së Laprakës, Astirit, por jo vetëm, edhe në kufijtë e Kamzës e Kodër-Kamzës, nuk do të humbin më kohë për transportin e fëmijëve drejt shkollës.

“Një pjesë e madhe e fëmijëve që vinin nga Kamza, nga Kodër-Kamza, “Bregu i Lumit” etj., kalonin minimalisht një orë në ditë duke udhëtuar me furgon për të ardhur në shkollat “Ahmet Gashi”, “28 Nëntori” në Laprakë. Pra, 300 ditë nga dy orë në ditë vajtje-ardhje, fëmijët humbisnin 600 orë. Por, në 600 orë një fëmijë mund të mësojë të kodojë, mund të mësojë një gjuhë të huaj, të pikturojë, apo të praktikojë një sport,” tha ai.

Kryetari i bashkisë shtoi se falë këtyre investimeve moderne, në çdo cep të Tiranës është rritur sot vlera e pronës.

“Kur kemi ardhur për herë të parë dhe kemi hapur themelet e shkollës, kjo zonë s’kishte pikë vlere. Rruga dhe shkolla ka rritur 3-fish vlerën e pronës vetëm në këtë komunitet. Pra, kush ka pronë në këtë komunitet, prej faktit që është buzë autostradës dhe prej faktit se ka një shkollë afër, sot është bërë më i pasur. Vetëm prej këtyre punëve, edhe kundërshtari më i madh i progresit, sot është më mirë,” deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi figurën e gazetarit të ndjerë Andrea Stefani, si model i gazetarisë shqiptare dhe tha se ndihet i nderuar që edhe dy fëmijët e tij do të ulen në bankat e kësaj shkolle.

“Jam posaçërisht i lumtur që, përveç autoriteteve, stafit të ri pedagogjik, – mes familjeve dhe fëmijëve që kanë ardhur të regjistrohen e që sot na kapën në këtë aktivitet, – është këtu edhe Enkelejda, së bashku me dy fëmijët, Stefin dhe Danielin, familja e vogël dhe e bukur e Andreas. Jam shumë i lumtur që jeni këtu sot sepse besoj se është, jo vetëm një moment krenarie për babanë tuaj, por është edhe një stoli për qytetin, e cila me gjasë do të prodhojë më shumë gazetarë të mirë, do të prodhojë më shumë të vërteta, që duhet t’i dëgjojmë, do të prodhojë më shumë qytetarë, se është shumë e rëndësishme që të jesh profesionist i mirë, por akoma më e rëndësishme është të jesh njeri i mirë dhe qytetar i mirë. Prandaj, besoj se sfida e gjithë kësaj familjeje të madhe është të prodhojë këtë qytetari,” u shpreh Veliaj.

Sipas Veliajt, shumë shpejt do të hapen shkollat “Bashkim Fino”, “Luan Hajdaraga”, “Kiço Blushi”, “Sevasti Qiriazi”, si dhe një seri tjetër kopshtesh – në total 12 shkolla dhe 8 kopshte. Ai tha se çdo shkollë e re do të ketë dhe një administrator që do kujdeset për mirëmbajtjen.

Në inaugurimin e kësaj shkolle që do mbajë emrin e gazetarit Andrea Stefani, foli dhe djali i gazetarit, Danieli i cili mes emocioneve për këtë nderim, u shpreh se babai i tij ishte jo vetëm i devotshëm për punën e tij, por edhe një familjar shumë i mirë.

Shkolla e re “Andrea Stefani” të hënën do të presë rreth 1 mijë nxënës të Njësisë 11. Godina moderne është pjesë e paketës së 12 shkollave të reja të projektuara nga arkitekti i njohur, Stefano Boeri, që hapen këtë vit të ri shkollor në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat