“Pallati duhet shembur”/ Instituti i Ndërtimit iu përgjigj bashkisë për ndërtesën në Tiranë

Tirana

“Pallati duhet shembur”/ Instituti i Ndërtimit iu përgjigj bashkisë për ndërtesën në Tiranë

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Instituti i Ndërtimit, institucioni që bën vlerësimin dhe ekspertizën teknike për sigurinë e një ndërtese që konsiderohet e dëmtuar, dhe që ka vlerësuar të gjithë pallatet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ka rikonfirmuar nëpërmjet një shkrese që mban datën 15 dhjetor 2022, se Pallati Nr.4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, paraqet rrezik të lartë për banorët dhe duhet shembur.

Bashkia e Tiranës, në një shkresë drejtuar së fundi kreut të Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli, ka kërkuar një rikonfirmim të Oponencës Teknike, të kryer nga ky institucion që në vitin 2020, e cila ka dalë në përfundimin se pallati është i pabanueshëm për shkak të dëmtimeve të rënda në strukturë.

Në përgjigje të shkresës, Instituti i Ndërtimit e rikonfirmon oponencën e vitit 2020.

“Në mungesë të dokumentacioneve të reja, për këtë objekt, rikonfirmojmë oponencën teknike me Nr. 1924/2 Prot , datë.05.08.2020, të bërë mbi bazën e materialeve të paraqitura nga ana juaj”, thuhet në përgjigjen e Institutit të Ndërtimit.

Në vitin 2020, pas analizave të kryera nga inxhinierët dhe ekspertët, Inspektoriati Ndërtimor ka dalë në përfundimin se “Pallati 4, rruga ‘Mylsym Keta”, Tiranë duhet të prishet dhe të ndërtohet e re.

Është  kjo ekspertizë e Institutit të Ndërtimit që vë në lëvizje, sipas ligjit, Bashkinë e Tiranës, që ka për detyrë ta zbatojë atë, duke marrë masat për shembjen e pallatit dhe strehimin e familjeve në apartamente të reja.

Në këtë rast, Bashkia e Tiranës ka dhënë zgjidhjen se familjet të strehohen në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen “5 Maji”. 30 familje kanë pranuar dhe jetojnë tashmë në shtëpitë e reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat