Turizmi është shndërruar në një motor të fuqishëm për ekonominë shqiptare. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë për periudhën janar-shtator 2025, shpenzimet e të huajve në vendin tonë arritën rekordin e 4.4 miliardë eurove, duke u rritur me 14.5% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti, që shënon edhe kulmin e sezonit veror, turistët e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 2.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 21.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe më shumë se dyfish në raport me periudhën para pandemisë.
Nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT tregojnë se për periudhën janar-shtator, në vend hynë 10.2 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 5.7%. Në të tilla kushte rezulton se shpenzimi mesatar për turist është rritur në 431 euro për 9-mujorin e 2025, nga 398 euro në janar-shtator 2024.
Ndërkohë, edhe shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë vendit, me shpenzime që kapin shifrën 2.3 miliardë euro në 9 muaj.
Pavarësisht kësaj, bilanci neto i turizmit mbetet pozitiv për vendin, me një diferencë prej mbi 2.1 miliardë euro në favor të ekonomisë shqiptare, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Nga ana tjetër, të ardhurat nga punësimi i emigrantëve shqiptarë jashtë vendit vazhdojnë të rriten ndjeshëm, duke arritur 285 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2025, një rritje prej 8.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.