Edhe këtë vit Durrësi është kthyer në zgjedhjen e parë për qytetarët të cilët duan të festojnë Shën Valentinin. Operatorët turistikë në qytetin bregdetar thonë se këtë fundjavë kapacitetet akomoduese janë plotësisht të ezauruara.
“Mund të themi që kemi 100 përqind të kapaciteteve të ezauruara. Kjo ka qenë edhe vitin e kaluar, mund të themi edhe 4-5 vitet e fundit. Kjo është një festë që ka goxha kërkesë”.
Interes kanë treguar jo vetëm vizitorët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa nuk mungojnë as turistët e huaj.
“Pjesa më e madhe janë shtetas shqiptarë, qytetarë të Tiranës, Elbasanit, Durrësit. Por ka edhe një përqindje të shtetasve të huaj në mënyrë individuale që preferojnë ta festojnë këtë festë në Shqipëri”.
Vizitorët janë tërhequr edhe nga ofertat e njësive të akomodimit, ndërsa nuk mungojnë as programet e dedikuara për këtë festë.
“Bazohet në një menu të veçantë, muzikë të veçantë që përshtatet për festa, por edhe çdo subjekt ka bërë një dekor për t’i dhënë një atmosferë të veçantë kësaj feste”.
Festa të tilla si Shën Valentini ndikojnë që Durrësi të mbetet një destinacion i preferuar edhe gjatë stinës së dimrit.