Ngjala, simbol i turizmit gastronomik në Lezhë

Turizëm

Ngjala, simbol i turizmit gastronomik në Lezhë

Më: 2 janar 2026 Në ora: 13:48
Foto ilustrim

Është një thesar natyror në zemër të Ishull Lezhës. Laguna e Vainit bën bashkë natyrën e bukur dhe biodiversitetin e pasur.

Është një prej zonave më të preferuara për vizitorët dhe çdo vit e më shumë bëhet më tërheqëse.

Veçse për turizmin e natyrës, kjo zonë preferohet vitet e fundit edhe për turizmin gastronomik. Banorët e kësaj zone i presin vizitorët me gatime tradicionale. Ato janë kryesisht me bazë peshku e veçanërisht ngjala.

Në restorantet që ofrohen në këtë zonë, në menunë e tyre ka gatime të ndryshme me bazë peshku. Më e preferuara nga turistët është ngjala me oriz. Por kjo nuk është e vetmja recetë. E veçantë është edhe ngjala e furrës.

Veç gatimeve tradicionale, turistët pëlqejnë edhe verën e kësaj zone.

Ata që e frekuentojnë më shumë këtë zonë janë qytetarët e ardhur nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit. Por padyshim nuk mungojnë as turistët nga vende të ndryshme të botës.

“Ka turistë të huaj, kryesisht janë nga Kosova, por ka dhe turistë nga vende të tjera të botës. Në fokus kanë ngjalën, pasi është e kohës dhe e preferojnë më së shumti sepse është e freskët që e ofron laguna momentalisht”, tha shef Keci.

Zhvillimi i turizmit ka nxitur banorët që të investojnë. Kjo ka bërë që në këtë zonë të hapen biznese të reja. Banorët e kësaj zone e kanë traditë peshkimin. Në këtë zonë bëhen bashkë ujërat e kripura të detit Adriatik me ujërat e ëmbla të lagunës, ndaj të apasionuarit pas peshkimit nuk e kanë të vështirë që të mbushin rrjetat e tyre.

“Kjo zonë ka një origjinë të hershme të peshkimit artizanal duke qenë se ka pasur prodhimtari se peshku me ndryshimin e ujërave, stinëve, qarkullon tepër në këtë zonë të lagunës. I ka dhënë një mundësi përparimit të turizmit gastronomik”, u shpreh Ronaldo Xhani, drejtor i Turizmit, Bashkia Lezhë.

Autoritetet në Lezhë e konsiderojnë këtë zonë me potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Laguna është habitat i specieve të ndryshme, ku padyshim më të veçantat janë flamingot. Ato tërheqin edhe më shumë turistët.

“Shikojmë edhe vitet e fundit që janë shtuar popullatat e shpendeve siç janë edhe flamingot. Po shikojmë një interes të madh nga ata turistë që janë për vrojtimin e shpendëve. Pelikani kaçurrel, kemi shumë popullata të pelikanit kaçurrel, që vitet e fundit janë shtuar në territor, e u japin interes studiuesve edhe turistëve të apasionuar të natyrës për të vizituar këtë zonë”, shton Xhani.

Ajo që konsiderohet edhe si mushkëria e Lezhës, Laguna e Vainit, është një prej zonave në mbrojtje në veri të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat