Lakër e kuqe me kos – përgatisni sallatën e shijshme plot vlera ushqyese

Ushqime

Lakër e kuqe me kos – përgatisni sallatën e shijshme plot vlera ushqyese

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 06:41
Lakra e kuqe është një ndër perimet më të freskëta e më të shëndetshme të stinës. Foto: Flickr

Lakra e kuqe është një ndër perimet më të freskëta e më të shëndetshme të stinës.

Është pikërisht koha e duhur për ta përdorur atë në gatime e receta të ndryshme, si është përgatitja e turshive por edhe sallatave të ndryshme.

Përveç shijes së veçantë, lakra ka nivelet më të larta të antioksidantëve mes perimeve, duke e shndërruar në një zgjedhje shumë të shëndetshme.

Recetat me këtë perime janë të shumta, duke filluar nga dollmatë e mbushura me oriz e deri tek turshitë e mrekullueshme.

Lakra e kuqe gjithashtu është dhe përbërësi i shumë sallatave plot vitamina dhe shije.

AgroWeb.org ju sjell sot një kombinim të ri që ia vlen të provohet.

Sallata me lakër të kuqe dhe kos përgatitet fare lehtë dhe mund të shoqërojë vaktet e ngrohta në familje.

Mjaftojnë vetëm disa minuta dhe do të keni përgatitur një recetë të re për të kënaqur familjarët tuaj.

Përbërësit

150 g kos

2 lugë gjelle me uthull molle

1 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

500 g lakër e kuqe

Hapat e përgatitjes

Filloni duke pastruar lakrën e më pas duke e shplarë me ujë të bollshëm.

Lakrën duhet ta grini jo shumë imët. Mund të përdorni renden nga ana e rrallë e dhëmbëzave.

Sipas preferencës, për më shumë shije mund të kombinoni lakër të bardhë me lakër të kuqe si dhe mund të shtoni edhe 2-3 karrota të grira në rende.

Kalojeni lakrën e grirë në një tas të thellë dhe spërkateni me kripë dhe me duar shtypeni lehtë.

Ky proces do të mundësojë që lakra të marrë kripën e nevojshme dhe të ketë një shije më të fortë.

Në një tas të vogël hidhni kosin, uthullën e mollës kripën dhe piperin dhe me ndihmën e telit të kuzhinës përzjejini derisa të krijohet një masë homogjene.

Këtë përbërje hidhjani sipër lakrës dhe përzjejeni në mënyrë që të gjitha copëzat e lakrës të jenë të mbuluara me të.

AgroWeb.org ju këshillon që për një shije më të mirë, mbulojeni tasin me qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer për të paktën 30 minuta.

Kur e lejoni që të qëndrojë në frigorifer, lakra do të zbutet pasi do të përthithi lagështirën e kosit.

Shija e tyre do të ndërthuret duke rezultuar në një sallatë të freskët dhe plot vlera shëndetësore. 

Para se ta servirni lëreni pak në temperaturë ambjenti dhe spërkateni sipër me vaj ulliri.

Nëse dëshironi, kur ta servirni për edhe më shumue shije mund t’i shtoni sipër edhe disa thelpinj arrash. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat