Brooks Nader e ka bërë të qartë pse u zgjodh për të veshur rrobën e banjës të kuqe të “Baywatch”. Modelja 29-vjeçare u shfaq të premten në Las Vegas me një bodysuit të zi që i puthitej trupit, në festën që revistat People dhe InStyle organizuan para garës së Formula 1.
Sipas Hello!, modeli kishte qafë halter dhe dekolte të thellë, ndërsa pjesa e poshtme mbaronte pak nën gju, në gjatësinë e pantallonave “capri”. Brooks e kombinoi me këpucë të zeza me majë dhe syze dielli të mëdha, pa bizhuteri të rënda. Kështu theksin e mbajtën flokët bjondë me valë të hedhura anash dhe grimi në tone bronzi.
Paraqitja vjen ndërsa Brooks përgatitet për rolin më të madh të karrierës. Në rikthimin e serialit “Baywatch” nga rrjeti Fox, ajo do të luajë Selene-n, kapitenen e rojeve bregdetare të plazhit Zuma. Seriali me 12 episode pritet të nisë në fund të janarit 2027.
Në një intervistë për Extra, Brooks tha se ende i duket e pabesueshme që u zgjodh për rolin. Ajo tregoi se Pamela Anderson dhe Carmen Electra kanë qenë prej kohësh frymëzimi i saj. Kujtoi edhe kopertinën e Sports Illustrated të vitit 2023, kur pozoi me një rrobë banje të kuqe njëpjesëshe që, siç thotë, i dukej krejtësisht në stilin e serialit.
Në kastin e ri janë edhe Stephen Amell, në rolin e Hobie Buchannon, djalit të Mitch-it legjendar, si dhe Shay Mitchell, Hassie Harrison, Noah Beck dhe Livvy Dunne. Nga ekipi origjinal rikthehen David Chokachi dhe Erika Eleniak.