Byreku i shpejtë – Receta 30 minutëshe

Ushqime

Byreku i shpejtë – Receta 30 minutëshe

Më: 20 janar 2021 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Një amvise e mirë, zotësinë e vërtetë në kuzhinë e tregon pa dyshim tek përgatitja e byrekut.

Sekretet e këtij gatimi nuk kanë të mbaruar, duke filluar që nga hapja me kujdes e petëve, përbërësit apo pjekja

Deri sa të vijë momenti i shijimit të byrekut, duhet bërë shumë kujdes me përgatitjen e tij

Në recetën e sotme iu shpjegojmë një mënyrë të re e të shpejtë se si të gatuani me lehtësi një byrek të mrekullueshëm.

Një miks mes produkteve të bulmetit, byreku i sotëm me fare pak mundim do t’i japë shije tryezave tuaja.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë dhe të lehtë të përgatitjes së tij:

Përbërësit

3 vezë

1 pako peta të gatshme (450 gr)

450 gr gjizë pa kripë

450 gr djathë i bardhë

2-3 lugë gjelle salcë kosi

4 lugë gjelle gjalpë i shkrirë ose vaj

80 ml qumësht

80 ml ujë me gaz

1 lugë çaji kopër e grirë

piper i zi

kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, zgjidhni një enë të thellë për të bashkuar të gjithë përbërësit.

Hidhni në të fillimisht vezët më pas gjizën, djathin e thërrmuar, salcën e kosit, qumështin, pak kripë, ujin me gaz dhe përziejini mirë.

Vazhdoni me përzierjen, duke shtuar pak nga pak edhe koprën e grirë dhe pak piper të zi.

Ndërkohë zgjidhni një tavë mesatare ku do të piqni byrekun tuaj dhe ndizni furrën në temperaturën 200 gradë C.

Lyeni tavën me pak gjalpë ose vaj dhe shtroni petën e parë, duke e spërkatur dhe atë me pak vaj ose gjalpë.

Bëjeni këtë me 4 shtresa petësh duke spërkatur me gjalpë ose vaj.

Në këtë pikë, shtroni me kujdes pak nga pak mbushjen me qumësht që përgatitët më parë.

Hapeni atë nëpër të gjithë sipërfaqen e petëve duke ruajtur një pjesë për shtresat e tjera.

Mbulojeni më pas sërish me 3-4 petë të spërkatura secila me pak gjalpë ose vaj ulliri.

Hidhni edhe pjesën tjetër të qumështit, duke formuar kështu shtresën e dytë të byrekut dhe përhapeni atë me kujdes.

Me petët e fundit që ju kanë mbetur, pasi t’i keni spërkatur me  vaj ose gjalpë, mbuloni plotësisht byrekun tuaj.

Këtë shtresë lyejeni sërish me pak gjalpë ose vaj, në mënyrë që petët të marrin një shije me krokante.

Pasi të mbaroni futeni në furrën e parangrohur dhe piqeni për 30 minuta në temperaturën 200-220 gradë C.

Nxirreni byrekun tuaj nga furra kur të shikoni që petët janë pjekur dhe kanë marrë një ngjyrë të artë.

Para se ta prisni lëreni të ftohet 5-10 minuta dhe më pas mund të konsumoni sipas dëshirës, shoqëruar me gatime të ndryshme. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat