Nusëza me brumë të ardhur – Si ta përgatisni në shtëpi

Ushqime

Nusëza me brumë të ardhur – Si ta përgatisni në shtëpi

Më: 24 janar 2021 Në ora: 18:24
Nusëza

Nuzësa, bukë me gërsheta apo simite e butë nuk ka shumë rëndësi si e quani, ajo që mbahet mend nga kjo recetë është shija e mirë.

Korja e kësaj buke është e lëmuar, krokante dhe zemra e saj e butë dhe e bardhë qumësht.

Një nga traditat më delikate e të shijshme të bukëpjeksave dhe duarve të gjysheve AgroWeb.org j’ua sjell në një recetë akoma më të thjeshtë.

Ndiqni këshillat tona mëposhtë dhe shijojeni në çdo vakt këtë bukë shumë të veçantë.

Përbërësit

300 gr miell

40 gr gjalpë

25 gr maja birre e freskët

50 gr sheqer

1 shkop vanilje e freskët

3 vezë

80 ml qumësht

Lëkurë limoni

Kripë

Sheqer pluhur sipas dëshirës

Përgatitja

Si fillim hidhni qumështin në një enë të thellë dhe lëreni të marrë temperaturën e ambientit.

Më pas hidhni sheqerin bashkë me majanë e birrës të thërrmuar tek qumështi duke përzier vazhdimisht.

Lëreni të pushojë për 10 minuta pasi në këtë mënyrë majaja e birrës do të aktivizohet dhe do të formojë një masë brumi të trrashë e ngjitës.

Ndërkohë në një enë tjetër hidhni miellin, hapni me duar një vrimë në mes dhe aty hidhni masën e brumit me maja që përgatitët më parë.

Shtoni edhe sasinë e gjalpit të shkrirë, dy vezë të rrahura paraprakisht dhe lëkurën e gjysmës së një limoni.

Në fund shtoni farat e shkopit të vaniljes ose një majë luge vanilje pluhur sipas dëshirës tuaj dhe pak kripë për të balancuar shijen.

Përzieni të gjithë përbërësit bashkë në mënyrë që të formohet brumi kompakt e i fortë e kur ta keni arritur këtë punojeni me duar në tryezë duke i shtuar dhe pak miell në mënyrë që të mos ju ngjisë duart.

Bëjeni këtë derisa brumi të jetë i ngjeshur, pa kokrriza dhe homogjen.

Më pas vendoseni në një enë të thellë mbulojeni me një napë dhe lëreni të pushojë përreth 1 orë në një ambient të errët e të ngrohtë.

Pasi brumi të jetë fryrë e dyfishuar hiqeni nga ena ku ndodhet me duar dhe ndajeni në tre pjesë të barabarta, rreth 200 gr secila.

Rrotullojini ato me duar përsëgjati në formë cilindrike apo si shkopa të gjatë jo me shumë se 35 cm.

Më pas vendosini të treja paralek me njëra tjetrën, puthitini në fillim në mënyrë që të qëndrojnë të bashkuara dhe filloni të punoni një gërshet tradicional.

Bëjeni këtë deri në fund, duke mos harruar të
puthisni edhe fundin e bukës tuaj.

Për pjekjen

Ndërkohë shtroni me letër pjekje një tavë mesatare.

Vendosni aty bukën tuaj në formë gërsheti dhe lëreni brumin të vijë edhe për 30 minuta të tjera teksa ndizni furrën në temperaturën 170 gradë.

Në fund rrihni një vezë dhe me anë të një furce lyeni të gjithë brumin e sipër shtoni sheqer pluhur sipas dëshirës.

Futeni të piqet në temperturë 170 gradë për 40 minuta dhe shijojeni të ngrohtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat