Sarma me gjethe lakre, oriz dhe erëza

Ushqime

Sarma me gjethe lakre, oriz dhe erëza

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Përbërësit: 1 lakër mesatare, 1 presh, 2 qepë të njoma
1/2 gota oriz, 1 tufë majdanoz, 1 tufë kopër, 1 tufë nenxhik (dhjozëm), vaj ulliri, kripë, piper dhe limon.

Përgatitja:

 Si fillim me një thikë heqim pjesën e rrënjës së lakrës duke e prerë në formë rrethore nga mbrapa aq sa ajo pjesë e fortë të shkëputet. Ndajmë fletët me kujdes pa na u grisur. Nëse e shihni që fletët nuk hiqen kollaj vendosni lakrën në ujë të valuar për 5 min. Më pas e kulloni dhe i hiqni gjethet. Ndërsa nëse i keni hequr gjethet i vendosni në ujë të valuar me pak kripë për 2-3 min të ziejnë aq sa të zbuten. Në një tigan shtojmë vaj ulliri dhe kavardisim qepët e njoma me preshin aq sa të fillojnë dhe zbuten. Shtojmë orizin, erëzat e prera imët, kripë ( 1 lugë çaji ), piper dhe i skuqim të gjitha së bashku për 1 minutë.

Në tenxhere hedhim një gisht vaj ulliri dhe vëmë ca gjethe lakre jo të mira. Marrim gjethet e lakrës dhe me thikë ju heqim pjesën e kërcellit të mesit. Formojmë me to rripa të gjatë deri 4 cm gjerësi. Shtojmë gjysmë lugë nga gjella, dhe formojmë trekëndëshat.

I vendosim një e nga një në tenxhere dhe i mbulojmë me gjethe lakre jo të mira dhe vendosim një pjatë sipër ku i ngjeshim mirë. Shtojmë 2 gota ujë dhe e mbulojmë me kapak dhe i ziejmë në zjarr të ulët aq sa lëngu pothuajse ka shteruar. I lëmë për 30 min ashtu të mbuluara në temperaturën e saj dhe më pas i servirim. Shoqëroje me limon, kos me nenxhik ose kos normal. Ju bëftë mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat