Krem kakao në kushtet e shtëpisë

Ushqime

Krem kakao në kushtet e shtëpisë

Më: 18 mars 2021 Në ora: 11:28
Foto Ilustrim

Shtëpia, shkolla, parqet, kuzhina, kopshtet e shtëpive, janë këto vendet e përbashkëta ku njerëzit jetojnë. E pikërisht për to ne do të flasim: raporti dhe marrëdhëniet që kemi, si të harxhojmë më pak kohë e të rrisim cilësinë e gjithçkaje që na duhet për të jetuar mirë. Këtë numër po e nisim me gatimin.

Do të përgatisim një krem shumë të dashur për fëmijët, atë të kakaos, të cilin rëndom e gjejmë në supermarket, nën emrin e firmave të mëdha, por që po t’i hyjmë në detaje, është i përbërë nga kimikate, shtues, ngjyrues e konservantë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkaktojnë obezitet, alergji etj. Ja një mënyrë e thjeshtë, delicate dhe e menjëhershme për ta bërë kremin e kakaos në shtëpi.

Në këtë mënyrë, parandalojmë sëmundjet e mundshme, por edhe mbrojmë ambientin, duke pakësuar ambalazhet e produktit të gatshëm, shijojmë një ushqim natyral, si dhe kalojmë një kohë cilësore gatimi, sidomos kur në këtë proces përfshijmë edhe fëmijët. Të jeni të bindur se nuk do të zhgënjeheni po ta provoni!

Receta

Përbërësit:
250gr ricotta ose gjizë e freskët pa kripë
3 lugë gjelle mjaltë
70gr lajthi të pjekura, të grira pluhur
2 lugë gjelle kakao e zezë

Përgatitja:
Fillimisht ricotta ose gjiza pa kripë kalohet në një sitë, për të përftuar kremozitet maksimal, pastaj hidhet në një tas, ku sipas radhës shtohen, mjalti, kakaoja dhe lajthitë e pjekura, të grira imët. Të gjitha rrihen me pajisjen përkatëse të kuzhinës, derisa të shkrihen tërësisht me njëra-tjetrën. Masa e përftuar është një krem I mrekullueshëm për të lyer bukën, ideale për mëngjesin e fëmijëve tuaj. Kremi i kakaos mund të përdoret gjithashtu për mbushje tortash apo “cheesecake”-ësh. Ai mund të ruhet deri në katër ditë në frigorifer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat