Byreku pranveror me 12 barishte; receta tradicionale

Ushqime

Byreku pranveror me 12 barishte; receta tradicionale

Më: 28 mars 2021 Në ora: 17:31
Foto ilustrim

Përbërësit:

100 g pazi, 100 g lëpjetë, 100 g spinaq, 100 g hithra, 100 g labot, 100 gr bishta të hudhrave të njoma, 100 g bishta të qepëve të njoma, 100 g bishta preshësh, 100 g radhiqe, një tufë nenexhik, një tufë majdanoz, një tufë kopër, 500 g miell, 250 ml ujë, kripë, vaj ulliri, 1 kokërr vezë, sodë buke dhe dy lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar.

Përgatitja:

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë. Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës. Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra dhe barishteve.


Grijmë hollë përmes një thike të mprehtë të gjitha barishtet. U hedhim kripë dhe i shtypim me duar, i vendosim në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shterruar. U shtojmë djathin e thërrmuar dhe i përziejmë. Pasi e përgatisim gjellën me barishtet, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël. Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt. Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me lakra, në këtë moment vendosim edhe monedhën, të cilën e pastrojmë mirë me ujë dhe e mbështjellim me një letër kuzhine.

Më pas, vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri. Hedhim pjesën tjetër të lakrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera. Në fund petëve u kthejmë pak anët. Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur. Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat