Krap i pjekur në bazë të recetës së lashtë shqiptare

Ushqime

Krap i pjekur në bazë të recetës së lashtë shqiptare

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Kjo recetë i përket faktikisht zonave përreth Shën Naumit, manastirit të famshëm.

Në qytetet dhe fshatrat përreth gjen receta të pafundme ku përbërësi kryesor është pikërisht peshku krap. Kjo recetë i përket faktikisht zonave përreth Shën Naumit, manastirit të famshëm.

Përbërësit

1.5 kg krap

4 karota mesatare

3 qepë të thata

1-2 limona

Majdanoz

1 bohçe hudhër

200ml verë të bardhë

100ml salcë domatesh

Vaj ulliri

Kripë

Pipër të zi

Pipër të kuq

Spec djegës

Borzilok

Trumzë

Përgatitja

Në një tas të madh qëroni dhe prisni në rrathë të hollë karotat, e më pas grini hollë qepët.

Marinojini perimet me pak vaj dhe erëzat e përmendura tek lista e përbërësve.

Ndërkohë keni lyer me vaj ulliri një tavë. Me salcën të krijoni një shtresë të hollë në fund të tavës.

Më pas shtoni edhe verën.

Peshkun duhet ta keni pastruar mirë si nga luspat ashtu edhe nga të brendshmet, e më pas ta keni shpëlarë mirë me ujë të bollshëm.

I pari që do të vendosni në tavë është pikërisht krapi.

Bëni disa prerje të vogla përgjatë peshkut, ndërkohë që brenda tij vendosni fetat e limonit dhe thelpinjtë e hudhrës.

Spërkateni sipërfaqen e peshkut me majdanoz, piper të zi, borzilok dhe trumzë.

Më pas e kanë radhën perimet që ndërkohë janë marinuar.

Mundohuni që t’i shtroni ato rreth e rrotull peshkut, kështu lagështira e tyre do t’i japë aromën fantastike krapit.

Në një tigan ngrohni 100ml vaj dhe hidheni të nxehtë mbi peshkun dhe perimet.

Futeni tavën për t’u pjekur në furrë të ngrohur më parë me 200gradë, dhe lëreni për një orë.

Kur koha të ketë kaluar, ktheni peshkun nga ana tjetër.

Tregoni kujdes që mos të copëtoni mishin e peshkut.

Pasi peshku të jetë pjekur mjafton ta lejoni që të ftohet pak dhe ta shërbeni duke e shoqëruar me sallata të freskëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat