Red Velvet, ëmbëlsira që zbukuron tryezën festive të Krishtlindjes

Ushqime

Red Velvet, ëmbëlsira që zbukuron tryezën festive të Krishtlindjes

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 22:55
Foto ilustrim

Red Velvet është një tortë tipike amerikane e quajtur ndryshe dhe torta kadife e kuqe. Më e famshmja është ajo e Magnolia Bakery, të cilën e kam provuar kur isha në Nju Jork dhe më pëlqeu shumë.

Përbërësit për tavë me diametër 22/24 cm: ● 250 g miell 00 ● 115 g gjalpë i butë (e nxjerrim 2 orë më parë nga frigoriferi) ● 300 g sheqer ● 2
vezë të mëdha ● 1 bustinë vanilje ● 15 g kakao e hidhur ● 240ml latticello ● 2 lugë kafeje ngjyrues të kuq, por nëse keni ngjyrues në xhel ose pluhur, do t’ju duhet më pak prandaj shtojeni pjesë-pjesë ● 1 lugë kafeje uthull molle ose uthull e bardhë ● 1 lugë kafeje sodë buke ● 1/2 lugë e vogël me kripë

Përgatitja e bazës: Në një tas hedhim miellin dhe kakaon me sitë. I lëmë mënjanë. Në robot ose në një tas, rrahim me rrahësin elektrik të vezëve gjalpin për 5 minuta. Shtojmë gjysmën e sheqerit dhe vazhdojmë t’i rrahim derisa të bëhen si shkumë. Shtojmë tani gjysmën tjetër të sheqerit që na ka mbetur, shtojmë vezët një nga një duke vazhduar akoma përzierjen. Shtojmë vaniljen dhe ngjyruesin ushqimor. Hedhim tani pak laticello dhe pak miell me kakaon dhe vazhdojmë përzierjen e tyre me shpejtësi më të ulët derisa të bëhen si masë homogjene. Në një filxhan të vogël përziejmë uthullën me sodën dhe në momentin që krijohet si shkumë e hedhim me shpejtësi te brumi pasi soda hyn në veprim menjëherë me uthullën. Hedhim brumin në tavë të veshur me letër furre. E pjekim në temperature 170° në furrën e ngrohur më parë për 40 minuta (brenda mbetet pak e lagësht). E lëmë mënjanë të ftohet.

Përbërësit për kremin: ● 250 g djathë Philadelphia ● 250 g Mascarpone ● 350 g panna për ëmbëlsira, e ftohtë nga frigoriferi ● 120 g sheqer pluhur ● 1 bustinë vanilje.

Përgatitja:Në një tas ose në robot përziejmë Philadelphia-n me Mascarpone-n deri sa të bëhen si krem. Shtojmë më pas sheqerin pluhur, vaniljen dhe vazhdojmë t’i përziejmë akoma. Në një tas tjetër rrahim me rrahësin elektrik panën e ftohtë nga frigoriferi. E shtojmë më pas te tasi ku kemi përzierjen tjetër me shumë kujdes me spatula me lëvizje nga poshtë lart.

Kompozimi i tortës: Ndajmë tortën e ftohur me thikë në dy shtresa të barabarta. Ruajmë thërrimet gjatë prerjes pasi do të na duhen për ta zbukuruar. Vëmë pak krem mbi shtresën e parë, vëmë shtresën e dytë dhe tani e lyejmë të gjithë sipërfaqen dhe anësoret e saj me kremin që na ka mbetur. E ruajmë në frigorifer për maksimumi dy ditë dhe në momentin që do ta shërbejmë, e nxjerrim 10 minuta më parë nga frigoriferi. Është më e mirë të nesërmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat