Fundjava shijon më shumë me këtë tortë me çokollatë

Ushqime

Fundjava shijon më shumë me këtë tortë me çokollatë

Më: 20 shkurt 2022 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Përbërësit për tavë me diametër 24 cm:

125 g gjalpë në temperaturë ambienti
150 g sheqer
2 vezë
200 g çokollatë fondente
1 lugë e vogël lëkurë portokalli të grirë
220 g miell
2 lugë të mëdha me kakao të hidhur
1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g)
250 ml qumësht

Për kremin me çokollatë që do të hedhim sipër, pasi torta të piqet:
250 g çokollatë e zezë
375 ml pana për ëmbëlsira

Përgatitja:
Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C.
Shkrijmë në banjëmari çokollatën me dy lugë qumësht, ( e marrim nga sasia qe kemi) e heqim dhe e lëmë të vaket.
Në robot ose me rrahësen elektrike të vezëve, rrahim sheqerin me gjalpin derisa të bëhen si krem, shtojmë vezët një nga një (pasi të jetë përzier e para, shtojmë të dytën), shtojmë çokollatën e shkrirë dhe lëkurën e portokallit të grirë.
Në një tas hedhim me sitë miellin, kakaon dhe sodën. I përziejmë me spatul dhe i shtojmë pjesë-pjesë me lugë, duke hedhur herë nga kjo masa dhe herë qumësht në tasin ku kemi vezët me përbërësit e tjerë.
E hedhim brumin në një tavë të lyer më parë me gjalpë e kakao. E pjekim për rreth 40 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. E heqim nga tava pas 10 minutash dhe e lëmë të ftohet mbi një grilë, që të mos krijojë lagështirë nga poshtë.
Ndërkohë, përgatisim kremin me çokollatë: në një tenxhere të vogël hedhim panën, e vëmë në zjarr dhe kur të marrë valë e heqim nga zjarri. Shtojmë menjëherë çokollatën, të cilën e kemi grirë në copa të mëdha. E përziejmë mirë me lugë druri derisa të kemi një krem homogjen. E lëmë të ftohet në temperaturë ambienti dhe më pas e lëmë në frigorifer sa të trashet, për ta lyer tortën si krem me të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat