Si të ngrini domatet e stinës, hapa të thjeshtë për shijen e freskët në çdo stinë

Ushqime

Si të ngrini domatet e stinës, hapa të thjeshtë për shijen e freskët në çdo stinë

Më: 17 korrik 2022 Në ora: 19:11
Ilustrim

Stina e domateve të shijshme e të freskëta mund të zgjasë për 365 ditë, nëse ju i ngrini ato. Kjo mënyrë ruajtjeje afatgjatë ju siguron që domaten e përzgjedhur ta gatuani çdo ditë dhe të merrni prej saj më të mirën e mundshme.

Natyrshëm, mund të lindë pyetja përse duhen ngrirë domatet kur shumë prej tyre mund t’i gjejmë në treg çdo ditë.

Ngrirja është një metodë ruajtjeje shumë e mirë për domatet e fshatit, ato pa ‘hile’, shija e të cilave nuk krahasohet me ato të domateve jashtë sezonit.

Përse duhet t’i ngrini domatet

Së pari, ngrirja është një proces i leverdisshëm që të ha pak kohë dhe vend. Nga ana tjetër, ky proces kërkon pak mund, ndaj ia vlen.

Domatet e ngrira mund t’i përdorni në çdo kohë për gatime të ndryshme, përveç sallatave.

Me domatet e ngrira mund të gatuani supa dhe salca të ndryshme.

Po kështu, domatet e ngrira e ruajnë shumë mirë aromën.

 Si t’i ngrini

Për ngrirje mjafton t’i prisni domatet në copa të vogla, të cilat më pas mund t’i manovroni shumë lehtë.

Ju rekomandohet që për ruajtjen e tyre mund të përdorni qese për ngrirje me mbyllje hermetike, të cilat ruajnë pak ajër.

Qeset mund t’i renditni një nga një në ngrirje duke zënë më pak vend në këtë zonë të frigoriferit.

Një tjetër mënyrë është që domatet t’i shtypni me dorë, në rast se ato do t’i përdorni për supa dhe salca.

Copëzat e shtypura të domates mund të ngrijnë shumë lehtë bashkë me lëngun e tyre, të cilin mund ta përdorni pa problem sa herë të lindë nevoja.

Për ngrirje për pak kohë mund t’i fusni të plota.

Por nëse do t’i ruani për shumë kohë nuk rekomandohet futja në qese e domateve të plota, sepse temperaturat e ftohta mund ta prishin strukturën e domates.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat