Qofte me patate, një recetë e thjeshtë dhe e shijshme

Ushqime

Qofte me patate, një recetë e thjeshtë dhe e shijshme

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 21:07
Qofte me patate

Nëse po mendoni të gatuani diçka të shpejtë dhe të shijshme, atëherë ju sugjerojmë qoftet me patate. Këtë recetë e ka ndarë Sosela Ndina në profilin e saj @sunnykitchen_ dhe ne po e risjellim për ju më poshtë.

Përbërësit që ju duhen:

500 gr patate

2-3 qepë të njoma të prera hollë

100 gr djathë kaçkavall të grirë

50 gr djathë të bardhë të thërrmuar

2 vezë, të rrahura lehtë

1/2 gote me majdanoz dhe kopër, të grira hollë

1/4 lugë çaji nenexhik (opsional)

60 gr miell

Kripë e piper

Vaj luledielli ose ulliri për skuqje

Mënyra e përgatitjes:

Pastroni patatet nga lëkura dhe i zieni sa të zbuten. Shtypini me shtypëse patatesh dhe lërini të ftohen plotësisht.

Më pas i bashkoni me të gjithë përbërësit e mësipërm, përveç vajit, dhe punoni me duar sa të lidhen përbërësit. Njomni duart me ujë dhe ndani toptha nga brumi duke i dhënë formë të sheshtë.

Nxehni 2 gisht vaj në një tigan që nuk ngjit dhe në momentin që do të vendosni qoftet të skuqen, ulni nxehtësinë në mesatare drejt të ultës. Lërini të skuqen sa të marrin faqe mirë dhe më pas i ktheni në anën tjetër. Vendosini në një pjatë me letër thithëse që t’u ikë yndyra e tepërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat