Darka e Vitit të Ri në vendin tonë është një nga ato festa që mbledh pranë tryezës të gjithë familjen, pavarësisht nga besimi fetar i tyre.
Me poshtë po ju tregojmë një menu tradicionale të kësaj feste. Edhe pse tradita ka ndryshuar pak pas viteve ’90, thelbësoret kanë ngelur po ato!
ANTIPASTA OSE PJATA E PARË
Pjate mikse– nuk mund të mungojë në tavolinat më tradicionale një pjatë e përbërë nga patate të skuqura, djathi i bardhë, speca gogozhare (turshi), vezë të ziera etj., të gjitha këto të vendosura bukur.
Qofte me mish të grirë dhe Kroketa me patate – mund të realizoni një pjatë mikse, të përbëre nga qofte dhe kroketa me madhësinë e një arre, dhe mbase të vendosni një kruajtëse dhëmbësh mbi secilën prej tyre.
Miks proshuta dhe djathëra – për tavolinat me tendencë më perëndimore. Mund të bashkoni 3 - 4 lloje djathërash dhe proshutash duke i shërbyer në mënyrë të këndshme.
SALLATA
Sallata ruse, është mbretëresha e tavolinës së Vitit te Ri! Në Shqipëri, përgatitet duke shtuar edhe rrepa të kuqe (ndryshe nga receta tradicionale), e cila i jep një ngjyrë mjaft festive.
Sallatë patatesh me kos dhe qepë të njoma – edhe kjo sallatë me një shije mjaft delikate, përgatitet me pak majonezë dhe pak kos të trashë grek.
PJATA E DYTË
Përshesh me gjel deti, i cili vështirë të mungojë në çdo tavolinë. Sipas traditës së çdo vendi, mund ta përgatisni me miell gruri (kulaç) apo miell misri (bukë misri).
Gjel deti i mbushur dhe i pjekur (me salcë dhe garniturë), për ato familje që duan të devijojnë paksa nga shija tradicionale e këtij shpendi të shijshëm.
Fileto gjel deti me kërpudha, për të mos u rënduar shume për festa, kjo është pjata e dytë.
Kofshë qengji me patate, për të gjitha familjet që nuk e preferojnë shijen e gjelit të detit.
ËMBËLSIRA
Bakllavaja qëndron në krye të listës së ëmbëlsirave së bashku me: Kadaifin me arra dhe shëndetlien me mjaltë.