Për të identifikuar të dënuarit që pritet të dëbohen, autoritetet zvicerane ftesuan përfaqësues të talibanëve, duke u mbuluar shpenzimet e udhëtimit e akomodimit. Por një muaj më pas, asnjë nga kriminelët – mes tyre edhe shqiptarë – nuk është kthyer në Kabul.
Në gusht, katër përfaqësues të talibanëve vizituan Gjenevën me ftesë zyrtare të Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM). Ata kishin për detyrë të identifikonin 13 burra – dy të gatshëm për kthim vullnetar dhe 11 të dënuar për vepra penale.
Shpenzimet totale arritën rreth 12 mijë franga: 9692 franga për biletat e avionit dhe 2208 për hotel e ushqim. Megjithatë, një muaj pas vizitës, të gjithë 13 personat ndodhen ende në Zvicër. Vetëm talibanët u kthyen në Kabul, me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga taksapaguesit zviceranë.
Sipas autoriteteve, procedurat janë “në përgatitje”, por data e saktë e kthimit nuk dihet. Pengesa kryesore: talibanët njohin vetëm dokumente që vetë i lëshojnë, duke e vendosur Zvicrën në dilemë mes dëbimit të kriminelëve dhe njohjes indirekte të regjimit të tyre.