Ohër: Hetohet drejtuesi i anijes së mbytur

Maqedonia

Ohër: Hetohet drejtuesi i anijes së mbytur

Më: 7 shtator 2009 Në ora: 12:10

Policia maqedonase ka njoftuar se kapiteni i anijes së tejmbushur turistike maqedonase që u mbyt në Liqenin e Ohrit është arrestuar me dyshimin e shkaktimit të vdekjes së 15 turistëve bullgarë.Një zëdhënës i policisë tha se kapiteni i anijes, 23-vjeçari Sotir Filevski, do të mbahet nën arrest për 30 ditë ndërsa bëhen hetimet.

Nëse prokurorët ngrejnë akuzë për krime kundër jetës dhe pronës, Filevski mund të përballet me katër deri në dhjetë vjet burg.

Autoritetet maqedonase e shpallën të djelën ditë zie kombëtare. Qeveria thotë se ka ftuar ekspertë nga Kroacia dhe Bullgaria që të ndihmojnë në hetime.

Sipas një zëdhënësi të qeverisë, në anijen me kapacitet 42 vendesh, kishte 57 pasagjerë.

Anija që ishte ndërtuar në vitin 1924 në Gjermani, po udhëtonte nga Ohri drejt manastirit ortodoks të Shën Naumit.

Mediat maqedonase kanë transmetuar filmime dramatike menjëherë pas tragjedisë dhe operacionit të shpëtimit që pasoi.

Anija "Ilinden" u fundos me shpejtësi në një thellësi prej gjashtë metrash, rreth 200 metra larg bregut, ditën e shtunë në Liqenin e Ohrit.

42 pasagjerë janë shpëtuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat