Ish UÇK, zv/ministri përgënjeshtron shefin për grupet e punës

Maqedonia

Ish UÇK, zv/ministri përgënjeshtron shefin për grupet e punës

Më: 5 nëntor 2009 Në ora: 23:15

Numri dy i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ka përgënjeshtruar ministrin Bajrami sa i përket ekzistimit të Grupeve të Punës, për zgjidhjen e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së. Ristovski këtë e ka deklaruar në seancën e sotme të Kuvendit ku deputetët i shtruan pyetje qeverisë Gruevski. Të njëjtën ka theksuar edhe numri një i Qeverisë duke i quajtur spekulime deklaratat se kësaj kategorie do t’i mundësohen përfitime të posaçme.

“Në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, nuk ekziston ndonjë grup pune, që përgatit ligj të posaçëm për pjesëtarët e UÇK-së kështu që bëhet fjalë për spekulim”, deklaroi Spire Ristovski zv/ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

“Sa i përket akuzave dhe spekulimeve se do të japim të drejta të posaçme speciale, ligje të reja etj., për pjesëtarët e të ashtuquajturës UÇK edhe njëherë do të përsëris atë që tha edhe zv/ministri i Punës dhe Politikës Sociale, se këto janë të pavërteta dhe spekulime”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Të premten ministri Xhelal Bajrami për Alsat ka theksuar se grupet e punës nga të dyja partitë po punojnë për zgjidhjen e çështjes në fjalë.

“Fundi fundit ashtu jemi marr vesh me partnerin e koalicionit që kjo çështje të përmbyllet deri në fund të këtij viti. Mirëpo ishin disa shkrime në gazeta se kanë filluar grupet e punës etj. Në këtë kontest edhe unë e dhashë deklaratën se po jemi duke punuar dhe se do të ketë zgjidhje deri në fund të vitit. Për grupet e punës nuk do të doja të zbuloj detaje se krejt kush është i kyçur, mirëpo në ato grupe janë kryesisht tanët të BDI dhe të VMRO-së”, pati deklaruar Xhelal Bajrami, ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Bajrami sot është përgënjeshtruar edhe nga bashkë partiaku i tij, deputeti Neziri i cili thotë se këtyre ditëve pritet të formohet grupi i përzier.

“BDI ka formuar grup pune dhe ne presim që shumë shpejt të formohet një grup i përzier pune mes partnerëve te koalicionit mes BDI dhe VMRO-DPMNE që të vijnë deri te përfundimi i kësaj normative ligjore”, deklaroi Safet Neziri, deputet i BDI-së.

Ndaj deklaratave ka reaguar edhe partia e Selmanit. Ata kërkojnë që çështjet e karakterit ndëretnik ku bën pjesë edhe kjo çështje të shqyrtohen me seriozitetin më të madh.

“Mendoj se duhet të gjithë të jemi më serioz edhe kryeministri të jetë më serioz sa i përket kësaj çështje sepse bëhet fjalë për qytetar të Maqedonisë dhe bëjmë thirrje që në zgjidhjen e të gjitha kontesteve të kësaj natyre që janë të natyrës ndëretnike të shikohen me strategji politike dhe jo me veprime ditore politike”, u shpreh Sulejman Rushiti, deputet i DR-së.

Statusi i ish pjesëtarëve të UÇK-së do të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese. Me anë të kësaj zgjidhej parashikohen disa përfitime për kategori të ndryshme që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001.(as)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat