Kthehet gradualisht normaliteti në Egjipt - Bota Sot
Kthehet gradualisht normaliteti në Egjipt

Bota

Kthehet gradualisht normaliteti në Egjipt

Më: 12 shkurt 2011 Në ora: 13:52

Pas mëse dy javësh në pështjellim politik që kulmoi të premten me dorëheqjen e presidentit Hosni Mubarak, në Egjipt po bëhen përpjekje për kthimin në një farë normaliteti.

Njerëzit kanë filluar të dalin në punë dhe në rrugët e mbushura me mbeturina po shtohet trafiku. Në Sheshin Tahrir protestuesit kanë nisur një operacion pastrimi pas një nate të gjatë festimesh. Megjithatë në shesh ka ende grupe të mëdha aktivistësh që thonë se do të qëndrojnë aty deri sa ushtria t'ua dorëzojë civilëve kontrollin e shtetit.

Një korrespondent i BBC-së në Kajro thotë se opozita kërkon një mesazh të shpejtë dhe të qartë se Egjipti nuk do të kalojë nga një diktaturë në tjetrën.

Ushtria vazhdon të jetë e pranishme në rrugë me tanke dhe autoblinda, kryesisht përreth objekteve të rëndësisë së veçantë.

Zoti Mubarak mësohet se gjendet në një pallat në pikën turistike Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq.

Qëndrimi amerikan

Presidenti Obama dërgon në Jordani dhe Izrael këshilltarin e tij kryesor për çështjet ushtarake për të diskutuar ndikimin e zhvillimeve egjiptiane tek aleatët.

Ndihmësi i admiralit Mike Mullen, shefi i shtabit të mbrojtjes, tha se ai do të diskutojë për çështje të sigurisë dhe do t'u përcjellë partnerëve kryesorë garancitë e angazhimit të Uashingtonit në marrëdhëniet me aleatët.

Në programin e këshilltarit të Presidentit Obama janë takimet me Mbretin Abdullah të Jordanisë dhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Më herët, zoti Obama tha se Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura të Egjiptit duhet të sigurojë një tranzicion të besueshëm drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Mediat në rajon

Zhvillimet në Egjipt janë komentuar gjerësisht në botën arabe. Agjencia zyrtare e lajmeve në Jordani thotë se qeveria jordaneze e respekton zgjedhjen e bërë nga populli egjiptian dhe ka shumë besim se forcat e armatosura do të sigurojnë stabilitetin e vendit.

Gazetat në Jordani dhe Bahrein kanë theksuar përpjekjet e kohëve të fundit nga qeveritë përkatëse për t'ju përgjigjur pakënaqësisë së masave.

Edhe në Jemen, ku janë zhvilluar protesta anti-qeveritare, agjencia zyrtare e lajmeve shpreh besimin se ushtria egjiptiane do të ruajë stabilitetin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...