Haiti: Forcat amerikane rihapin portin e Porto Princ për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave

Bota

Haiti: Forcat amerikane rihapin portin e Porto Princ për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave

Më: 21 janar 2010 Në ora: 22:52

Ushtria amerikane thotë se ka rihapur portin tepër të dëmtuar të Porto Princit për të ndihmuar në përmirësimin e shpërndarjes së ndihmave për viktimat e tërmetit të javës së kaluar në Haiti.

Komandanti i Komandës amerikane jugore, gjenerali Douglas Fraser, tha se një aeroplan-mbajtëse do të bëjë të mundur kalimin sot të 150 kontenierëve nëpër port. Ai tha se kapaciteti do të rritet në të paktën 250 kontenierë nesër kur të mbërrijë një anije komerciale.

Rënojat përreth portit, rrugët e shkatërruara dhe mbingarkimi në aeroportin kryesor të dëmtuar nga tërmeti e ka vështirësuar së tepërmi shpërndarjen e ndihmave për haitianët.

Gjenerali Fraser tha se mbi 1 mijë e 400 aeropanë janë në pritje të ulen në Porto Princ. Ai tha se zyrtarët kanë hapur një aeroport tjetër në qytetin Jacmel dhe dy aeroporte në Republikën Dominikane, por transporti automobilistik nga këto zona vazhdon të jetë i vështirë.

Ndërkohë, ekipet e ndihmave në Haiti thonë se po bëjnë përparim në shpërndarjen e ushqimeve dhe ujit për popullatën e prekur nga tërmeti, megjithatë numri i të vdekurve mund të shtohet për shkak të sëmundjeve dhe të plagosurve që nuk marrin ndihmë mjeksore.

Më shumë se 12 mijë trupa amerikane janë pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për shpërndarjen e ndihmave, ilaçeve si dhe garantimin e sigurisë për viktimat, 9 ditë pasi tërmeti shkatërroi kryeqytetin Porto Princ.

Zyrtarët llogarisin se rreth 200 mijë njerëz humbën jetën dhe 3 milion të tjerë, rreth një e treta e popullatës haitiane, janë prekur nga ky tërmet.

Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për varrosjen e viktimave në varre masive. Të mbijetuarit jetojnë përjashta me pak ose aspak kushte sanitare.

Spitalet në fushë të hapur përballen me mijëra të plagosur. Grupi i ndihmave Mjekët pa Kufij njofton se pritja në disa klinika arrin deri në 12 ditë. Sipas këtij grupi, disa të plagosur kanë vdekur nga infeksioni për shkak të vonesave për kurimin e tyre. //mm//

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat