Ali Rexha po i mbron vrasësit - Bota Sot
Ali Rexha po i mbron vrasësit

Opinione

Ali Rexha po i mbron vrasësit

Më: 16 prill 2010 Në ora: 16:28

Në seancën e shtatë me radhë të gjykimit politik të EULEX-it kundër Albin Kurtit, ashtu sikur që pritej, mungoi avokati mbrojtës Musa Dragusha i caktuar nga EULEX-i dje. Kështu që, gjykimi u shty për të hënën, në orën 10:00.

Musa Dragusha u caktua për avokat të ri mbrojtës në këtë rast pasi dje dha dorëheqje avokati i mëparshëm mbrojtës, Avni Gjakova. Megjithëse dje EULEX-i nuk ia pranoi zyrtarisht dorëheqjen Avni Gjakovës, duke shpresuar në ardhjen e tij sot, në të njëjtën kohë u caktua për avokat kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, i cili nuk u paraqit në seancë. Musa Dragusha përpara më shumë se një muaji në një konferencë shtypi për gazetarë e pat dënuar trysninë e EULEX-it mbi avokatët e Kosovës, duke mbështetur në atë kohë avokatin Ramiz Krasniqi. Pothuajse sikur me qëllim, EULEX-i ricaktoi vetë Musa Dragushën që ta merrte rolin të cilin edhe më parë e kishte refuzuar.

Në seancën e sotme kryesuesi i Panelit de Mongeot urdhëroi lëshimin e një fletarresti të ri për Albin Kurtit, si dhe u lajmëroi që do të merren masat disiplinore kundër avokatëve që kanë refuzuar të marrin pjesë në ketë gjykim politik. Siç mund të kuptohet nga vendimi i EULEX-it për t’iu rikthyer Musa Dragushës, trysnia e EULEX-it po e shënjestron dhe po përpiqet ta shkatërrojë dinjitetin moral si dhe integritetin profesional të avokatëve të Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! inkurajon avokatët e Kosovës dhe i mbështet ata në qëndresën kundër trysnisë së EULEX-it.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Ali Rexha, po tregon zell të madh në persekutimin e Albinit. Ai nuk po heq dorë nga tri akuzat e EULEX-it ndaj Albin Kurtit. Sa i përket akuzës së parë, sipas të cilës Albin Kurti ka udhëhequr një masë të demonstruesve, që ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, ne i tregojmë Ali Rexhës se atë ditë ishte policia e UNMIK-ut që vrau dy protestues dhe plagosi mbi 80 të tjerë, ajo që shkaktoi rrezik të përgjithshëm dhe konkret. Sa i përket akuzës së dytë, se Albin Kurti paska penguar zyrtarët që ta kryejnë punën e tyre, ne i themi Ali Rexhës se ne, fatkeqësisht, nuk mundëm t’i pengojmë personat zyrtarë në kryerjen e punëve të tyre, sepse nuk mundëm t’i ndalojmë ata që të vrasin e plagosin. Dhe se policia e UNMIK-ut ishte ajo që na pengoi neve në marshin tonë paqësor, meqë na sulmoi përmes vendosjes së kordonëve të policëve vrasës. Kurse, sa i përket akuzës së tretë, se Albin Kurti bën thirrje për rezistencë, ne i tregojmë Ali Rexhës se Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje për rezistencë kundër UNMIK-ut vrasjet e të cilit ai po i mbron, dhe kundër EULEX-it të cilit po i shërben me aq servilizëm.

Tash pas dështimit të seancës së shtatë me radhë, është koha që EULEX-i ta kuptojë dhe pranojë këtë dështim që vjen për shkak të padrejtësisë së rastit dhe të vetë EULEX-it si mision, si dhe ta mbyll këtë gjyq skandaloz politik kundër Albin Kurtit. Këtë gjë tashmë po e kërkon jo vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe shoqëria civile, por edhe 175,000 qytetarë shqiptarë që e kanë nënshkruar peticionin për mbylljen e përndjekjes së Albinit nga EULEX-i dhe politikanët tanë shërbëtorë.

Prishtinë, 16 prill - Komiteti i VETËVENDOSJE! për Politikë dhe Çështje Juridike

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...