Në Kosovë vazhdojnë masat mbrojtëse kundër Gripit AH1N1 - Bota Sot
Në Kosovë vazhdojnë masat mbrojtëse kundër Gripit AH1N1

Kosova

Në Kosovë vazhdojnë masat mbrojtëse kundër Gripit AH1N1

Më: 11 nëntor 2009 Në ora: 15:35

Grupi punues për menaxhimin e Pandemisë së Gripit A H1N1, i themeluar nga Ministri Alush Gashi në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe që kryesohet nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, dr. Mybera Mustafa, ka zhvilluar sot në këtë ministri një takim pune në kuadër të zbatimit të masave mbrojtëse kundër Gripit të ri A H1N1 në Kosovë.

Zëvendësministrja Mybera Mustafa tha se çështja e Gripit A H1N1 tashmë është shpallur Pandemi në nivel global dhe Kosova po i zbaton me përpikëri të gjitha masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pandemia, ka theksuar ajo, e tejkalon nivelin e epidemisë dhe në momentin kur OBSH e ka shpallur çështjen e Gripit A H1N1 pandemi, kjo nënkupton të gjitha vendet e botës.

Ajo ritheksoi se çështja e Gripit nuk ka nevojë të politizohet në asnjë rrethanë në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë, do të ofrojë ndihmën e duhur për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.

Zëvendësministrja Mustafa tha se situata po monitorohet në vazhdimësi dhe po zbatohen të gjitha masat e nevojshme dhe në këtë kuadër në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve nga Gripi A H1N1, derisa dy personat e fundit tek të cilët të martën është konfirmuar Gripi AH1N1 janë në gjendje stabile shëndetësore.

Dr. Jusuf Dedushaj, kryetar i Komitetit nacional për sëmundje infektive, tha se situate epidemiologjike në Kosovë paraqitet e qetë, ndërsa në 24 orët e fundit, janë evidentuar 3 raste të dyshimta.

Gjatë ditës është bërë e ditur se 2 prej këtyre rasteve kanë rezultuar pozitive në AH1N1.

Ai tha se Kosova është territor unik dhe pavarësisht se autoritetet serbe nuk po i raportojnë rastet në zonat e banuara nga komuniteti i tyre, IKSHP është i gatshëm t'u ofrojë ndihmë për analizë të mostrave të rasteve të dyshuara.

Dedushaj tha se ata do ta kërkojnë sigurisht më vonë ndihmën, sepse sëmundja, theksoi ai, nuk njeh ngjyra, nacionalitete e as kombe, "prandaj, institucionet e Kosovës e kanë ofruar ndihmën e tyre".

U. I. Sekretarit Permanent të MSH së, dr. Haxhi Kamberi, tha se MSH ka ofruar ndihmë në Tamiflu për Shtëpinë e Shëndetit në Graçanicë, maska dhe material mbrojtës dhe këtë do ta bëjë për secilën pjesë të vendit ku ka nevojë.

Kamberi tha se MSH ka aktivizuar të gjitha kapacitetet e saj dhe do të bëjë furnizime të rregullta me barna dhe materiale mbrojtëse dhe se përgatitjet kanë shkuar mirë, kështu që ka nevojë për kujdes të shtuar, por jo për panik.

Eshtë theksuar po ashtu, se shumica e të prekurve do ta kalojnë Gripin A H1N1 lehtë, dhe me tretman ambulator e shtëpiak, derisa në klinikë do të shtrihen vetëm rastet më të rënda.

Të dhënat zyrtarë të IKSHP së, thonë se që prej 15 korrikut 2009, në Kosovë janë regjistruar 21 raste të dyshuara, prej të cilave A H1N1 pozitive janë konfirmuar 10, kurse negative 11.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat