Demonstrata e dhunshme/ Tym, flakë dhe tmerr - Bota Sot
Demonstrata e dhunshme/ Tym, flakë dhe tmerr

Speciale

Demonstrata e dhunshme/ Tym, flakë dhe tmerr

Më: 22 janar 2011 Në ora: 19:47

Tym, flakë dhe ... tmerr! Kjo ka qenë gjithçka qytetarët panë përmes ekranit të televizionit 21 Janarin e këtij viti.

Një turmë e organizuar në një demonstratë nga opozita që godiste me ç’të mundte shtetin për të arritur të ulej me forcë në karriget e Kryeministrisë. ABC News përmes reporterëve dhe operatorëve të tij në terren, e ndoqi hap pas hapi dhunën ...

Turma e ka nisur demonstratën e paralajmëruar dje nga opozita me goditje ndaj forcave të policisë të cilat ishin në krye të detyrës.

Ndërsa nuk shihej në krye të demonstruesve asnjë nga drejtuesit e opozitës, shumë prej tyre janë duke goditur forcat blu.

Gjendja nxehej me intervale, ndërsa demonstruesit shtynin njëri-tjetrin drejt brezit të uniformave blu që kishin rrethuar Kryeministrinë.

Ndërsa forcat e rendit po e ruanin gjakftohtësinë, në përpjekje për të menaxhuar siç duhet situatën, demonstruesit ndërmorën edhe një sulm me lëndë plasëse, ndërsa forcat e policisë po mbroheshin vetëm në pozicione mbrojtëse.

E sikur të mos mjaftonin goditjet ndaj policëve, demonstruesit e organizuar nga opozita, iu vërsulën edhe makinave.

Madje, ata kanë arritur deri aty, sa t’i vënë edhe flakën njërës prej tyre, duke realizuar një akt vandal të dukshëm në mes të bulevardit kryesor të vendit.

Më pas, pasi u zhvendos te pjesa e Piramidës, turma e demonstruesve të organizuar nga opozita përqendrohet sërish para godinës së qeverisë.

Për më tepër se një orë, ata kanë ushtruar akte dhune ndaj forcave të policisë në krye të detyrës, dhe ende nuk dihet se çfarë ata kërkojnë.

Në fund, histeria kolektive e demonstruesve të opozitës, të cilët donin me çdo kusht prej gati 2 orësh të hynin në godinën e Kryeministrisë përmes dhunës, dukej se nuk po njihte kufi.

Ajo ka arritur madje deri aty sa t’u vihet flaka jo vetëm makinave në bulevard, por edhe pemëve dekorative para Kryeministrisë.

Ndërkaq, shumë demonstrues janë ngjitur në majë të Piramidës, duke brohoritur në majë të saj.

Gjendja duket e agravuar, ndërsa protestuesit kanë arritur që të shpërthejnë edhe derën e Kryeministrisë ...

E pas gjithë kësaj që ndodhi, shfaqet kryesocialisti Edi Rama, i cili justifikohet për dhunën e atyre që thirri në protestë, madje tregoi dhe keqardhje për forcat e rendit.

“Forcave të rendit u shpreh gjithë solidaritetin për pozitën që u vunë nga kjo qeveri që ka kaluar çdo cak në shkeljen e të gjitha normave të bashkëjetesës në këtë vend”, tha Rama.

Menjëherë pas tij, kreu i shtetit ka reaguar duke bërë thirrje për qetësi dhe maturi.

”Presidenti Topi u bën thirrje faktorëve politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut dhe të marrin përgjegjësitë politike për ruajtjen e stabilitetit të vendit.

Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët, jo të hapë plagë të reja!”, theksonte deklarata e Presidentit.

Ndërkaq, mediat e huaja, protestën e cilësuan si një situatë të tensionuar dhe të rrezikshme ...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...