Knaus: Në ‘këmbim’ të protokolleve, Kosova përfiton për liberalizim vizash

Lajme

Knaus: Në ‘këmbim’ të protokolleve, Kosova përfiton për liberalizim vizash

Më: 8 shtator 2009 Në ora: 12:55

Problemi i nënshkrimit të protokollit Kosovë-Serbi, ka hyrë në agjendën më të lartë të diplomacisë evropiane. Më këtë rast ekspertja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet Verena Knaus, në një intervistë për mediat e Kosovës, vlerëson se protokolli EULEX-Serbi përfshinë menaxhimin më të kontrolluar të kufirit shtetëror të Kosovës në pjesën veriore. “Ajo që më prek mua si vëzhguese e reagimeve në Kosovë dhe njëkohësisht e reagimeve në Bruksel për diskutimet këtu, është se duket se ka shumë keqkuptime se për çfarë janë në realitet këto protokolle, apo marrëveshje teknike. Sipas meje këtu esencialisht bëhet fjalë për Serbinë dhe procesin e Serbisë drejtë liberalizimit të vizave, dhe, kjo është çështja që deri tani nuk është fokusuar edhe aq në Kosovë. Kur shikojmë çështjen e liberalizimit të vizave, Komisioni Evropian dhe pas tij të gjitha vendet anëtare të BE-së, kanë përcaktuar katër kushte të cilat Serbia duhet t’i plotësojë për të fituar liberalizimin e vizave. Njëra prej tyre është protokolli apo marrëveshja e bashkëpunimit me EULEX-in. Pra, kur Bashkimi Evropian e shikon këtë çështje, atëherë e shikon nga këndvështrimi se ajo është parakusht për Serbinë që të sigurojë liberalizimin e vizave. Por, gjithashtu, dhe mendoj se kjo nuk është kuptuar mirë në Kosovë, kjo është njëfarë mënyre për të “paketuar” njëfarë marrëveshje për Serbinë që të pranojë sërish kufijtë në veri, t’i hapë ata dhe t’i bëjë sërish funksionalë, të funksionojnë sërish normalisht doganat ashtu si para pavarësisë dhe në të njëjtën kohë për të operuar si më parë, por me EULEX-in si partner tani”, thotë ekspertja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet Verena Knaus. Ajo thotë se zgjidhja për gjendjen e krijuar rreth protokolleve mund të ketë edhe shpërblim për qytetarët e Kosovës rreth liberalizimit të vizave. “Pavarësisht nëse i quani aranzhmane teknike apo protokoll, një formë e tij është e nevojshme sepse e lejon EULEX-in të veprojë në veri, sidomos në kufij dhe lejon bashkëpunimin policor ndërmjet Serbisë dhe EULEX-it këtu. Po ashtu ky është parakusht edhe për Kosovën në përmbushjen e disa kushteve të saj në procesin e liberalizimit të vizave. Por, në këmbim Prishtina duhet të fitojë diçka. Ky mund të jetë, për shembull, udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Pra, do të ishte një përkushtim i qartë nga ana e Bashkimit Evropian: po EULEX-it, me bashkëpunimin dhe kompromiset, kur bëhet fjalë për rolin e tij neutral ndaj statusit, por gjithashtu EULEX-i do të jetë aty për të ndihmuar Kosovën për të arritur diçka që është shumë e rëndësishme për publikun dhe për qeverinë, dhe, ky është liberalizimi i vizave – jo në një të ardhme të largët, por në 2010, apo 2011”, vlerëson Knaus.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat