Krasniqi: Rezoluta e re afirmon opinionin e GJND-së - Bota Sot
Krasniqi: Rezoluta e re afirmon opinionin e GJND-së

Lajme

Krasniqi: Rezoluta e re afirmon opinionin e GJND-së

Më: 9 shtator 2010 Në ora: 14:18

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dha sot një deklaratë përkitazi me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë për tekstin e Rezolutës për Kosovën që do t’ i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për miratim. Në prononcimin për media kryekuvendari Krasniqi theksoi: "Na vjen mirë që shtetet e Bashkimit Evropian ishin unike për tërheqjen e Rezolutës së Serbisë për Kosovën, të paraqitur në OKB për miratim. Më në fund u gjet gjuhë e përbashkët mes BE-së dhe Serbisë, e cila tërhoqi Rezolutën e vet, për t’ u zëvendësuar me Rezolutën e arritur në bashkëpunim me BE-në, që mbështetet edhe nga SHBA-të”. Në vijim kreu i legjislativit të vendit vuri në dukje se Rezoluta afirmon opinionin e GJND-së dhe thërret BE-në që ta udhëheqë dialogun në mes dy vendeve të pavarura për stabilitet në Rajon. Në këtë mënyrë Serbia gradualisht po bëhet faktor i shtensionimit të situatës në Rajon. "Ne asnjëherë nuk kemi thënë se nuk do të bisedojmë për çështje me interes", tha në vazhdim kryekuvendari Krasniqi. Ndërkaq, duke folur për angazhimet që e presin shtetin e Kosovës në të ardhmen, kryekuvendari Krasniqi theksoi se duhet të vazhdohet puna në forcimin e shtetit të Kosovës, me një vëmendje të shtuar ndaj pozitës së komuniteteve, përkatësisht në inkuadrimin e tyre sa më të denjë në të gjitha poret e jetës institucionale dhe shoqërore të Kosovës. Në pyetjen se kujt i përket merita për arritjen e marrëveshjes për Rezolutën e re, kryekuvendari Krasniqi theksoi se kjo është meritë e institucioneve të Kosovës, që dinë të çmojnë qytetarët e vet dhe të krijojnë marrëdhënie miqësore me faktorë ndërkombëtarë. Kjo është njëherësh edhe meritë e miqve ndërkombëtarë dhe e politikës së Serbisë, e cila po heq dorë nga politika agresive, duke u orientuar drejt integrimit evropian. Në këtë vështrim me Rezolutën e re të gjithë kanë fituar: BE-ja, Serbia dhe Kosova. “Këtu nuk ka humbës, të gjithë janë fitues”, tha kryekuvendari Krasniqi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...