Islanda, ishulli ku përleshet zjarri me akullin

Ndryshe

Islanda, ishulli ku përleshet zjarri me akullin

Më: 18 prill 2010 Në ora: 11:07

Islanda nuk i përket asaj kategorie të bukurisë që ne mendojmë. Bukuria është hyjnore, ose njerëzore, ose në fund të fundit e një natyre mes hyjnores dhe njerëzores. Për sa i takon Islandës, ajo nuk i njeh zotërat tona, ndoshta nuk njeh asnjë zot. Vizita në Islandë do t’u këshillohej të gjithë të pasurve dhe të varfërve të planetit. Të shkosh në këtë vend, është një përvojë e jashtëzakonshme, trazuese dhe tragjike, një udhëtim që nuk ngjan me asnjë tjetër. Në fillim të shekullit XXI, ata që shkojnë në Islandë përballen me origjinën e Tokës, fundin e universit, metamorfozën e vullkaneve, zhgjëndrrat e natyrës dhe të njeriut, mrekullitë e ujit dhe të zjarrit. Nëse do të donim ta kuptonim këtë peizazh thuajse teatral, duhet të shkojmë në zanafillën e gjërave e të gërmojmë si te “Bibla”, ashtu edhe te mitologjia nordike. Të dyja flasin për krijime. Në krijimin e parë, atë biblik, në fillim, madje para vetë fillimit, kishte diçka: errësirë e boshllëk, shkretëtira të humbura, hapësira ujore të pafund dhe përballë tyre ishte Zoti.

Më pas, nuk dihet se kur, vjen krijimi i dytë. Zoti krijoi nga hiçi, përmes fjalës, dritën. Krijoi diellin, hënën, krijesat e detit, kafshët e Tokës, njeriun, ndau ditën nga nata, ujin nga toka, dhe e ftoi Tokën që është nëna e gjithë gjallesave mbi të, që të gjeneronte bimësinë, frutat dhe ushqimet për krijesat e saj. Veprimet e Zotit i binden një rendi, një harmonie të caktuar dhe kanë gjithmonë një synim përfundimtar. Nga këto pak informacione, si dhe nga ideja që grekët kishin për kozmosin, u krijua imazhi i parë që patën perëndimorët për natyrën. Por fillesa, zanafilla nordike, është krejtësisht e ndryshme. Edhe këtu bëhet fjalë për një krijim të parë. Në fillim të kohëve, “kur nuk ekzistonte asgjë, nuk kishte as rërë e as det dhe as valë të freskëta, nuk kishte as tokë e as qiell, kishte hapësira të pafund. Por në këto hapësira nuk endej shpirti i Zotit, sepse në mitologjinë nordike, zotat nuk janë të përjetshëm dhe nuk lindin në zanafillën e kohëve, por vijnë shumë më pas. Pranë kësaj hapësire të humbur e të pafund, dikush (askush nuk e di se kush), krijoi dy botë njësoj të mbrapshta dhe të këqija. Bota e parë zotëronte Veriun, mbretërinë e të ftohtit, lagështirës dhe errësirës, ndërsa tjetra Jugun, dritën e dhunshme të zjarrit dhe vapën e padurueshme. Jeta lindi pikërisht nga takimi i këtyre dy botëve, ekstremeve negative. Akulli i ftohtë i Veriut takon zjarrin e nxehtë të Jugut. Fryti i artë i kësaj lidhjeje ishte Ymir. Prej tij, brez pas brezi lindën zotat, mes të cilëve Odini. Më pas zotat e vranë Ymir-in dhe bashkë me të edhe gjithë racën e gjigandëve të tjerë. Në fund krijuan botën, botën që kemi ne sot, ose të paktën botën në të cilën jetojnë islandezët. Ky ishte edhe krijimi i dytë, por në dallim me atë biblik, ajo nordike u krijua tërësisht me materialin e krijimit të parë, përfshi edhe trupin e gjigandit. Me kokën e Ymir u gatua Toka, me gjakun e tij u krijuan ujërat, me kockat e tij malet, me dhëmbët gurët e kështu me radhë.

Ky vend është Islanda, ku deti është krijuar nga gjaku i mostrave, toka nga koka dhe qielli nga truri i Ymir-it. Është një tokë e përbërë nga akullnaja, male me akuj të trashë e të vjetër, që fshehin poshtë tyre llava të nxehta zemërimi, të cilat presin momentin për të dalë. Copa më e madhe e akullit është Vatnajokull, por ka edhe të tjera të përmasave më të vogla. Dikur akujt mbulonin gjithë Islandën. Gjëja e veçantë është se të gjitha këto hapësira akulli kanë nën tokë vullkane. Ndonjëherë vullkani qëndron më në thellësi të tokës, në një rrafsh me detin dhe nuk kuptohet kurrë se cili është raporti mes akullit dhe detit, e sigurisht edhe vullkanit. Ndonjëherë duket sikur vullkani që ndodhet në thellësi, kërkon të dalë për të shkatërruar akujt që i qëndrojnë sipër. E kur llava del fuqishëm, ajo e shkrin menjëherë gjithë akullin që ka përreth. Në fakt, ashtu si në legjenda, vazhdon përjetësisht beteja mes akullit dhe zjarrit, mes dy botëve të zanafillës, të cilat krijuan gjithçka.

Për udhëtarin që mbërrin në Islandë për herë të parë, peizazhi është i admirueshëm. Fillimisht ai ndeshet me idenë e zjarrit dhe të vullkaneve dhe bëhet fjalë për një zjarr e vullkan që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme në fantazinë e njerëzve. Këto elemente janë pjesë e krijimtarisë së këtij kombi. Në këtë ishull, të gjithë e kanë të qartë se gjithçka përreth është në lëvizje, në metamorfozë të vazhdueshme, edhe kur duket se gjërat janë të qeta dhe në paqe. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur këta njerëz gjatë historisë së tyre kanë parë të dalin nga deti ishuj të mëdhenj e të zhduken pas disa kohësh si të mos kishin qenë kurrë. Islanda nuk përbëhet nga shkëmbinj e gurë të fortë, por nga gurë që janë në fakt llavë e ngurtësuar dhe lehtësisht të shkërmoqshëm. I gjithë vendi është i një natyre vullkanike, një vend i bërë për llavë dhe i krijuar nga llava. Edhe ngjyrat e këtij vendi i shkojnë për shtat karakterit vullkanik të nëntokës. Kryesisht ngjyra e murrme është mbizotëruese, e në vende të caktuara edhe e zeza thellë. Ka toka që janë krejtësisht të shkreta. Në afërsi të kryeqytetit të vendit, Reikjavik, ka një rajon shumë të çuditshëm me male të zeza dhe tokë gri. Edhe rruga që të çon dhe kalon nëpër këtë zonë është prej asfalti krejtësisht të zi. Por pak kilometra më tutje pamja dallon krejtësisht dhe spektakli është tërësisht i ndryshëm. Zjarri i do dhe i kërkon ngjyrat dhe toka këtu nis të marrë “një ngjyrë të ngrohtë”. Balta është e pjekur dhe ngjyrë kafe. Më tutje dalin ca fusha me lule krejt të verdha, si të përkëdhelura nga dielli.

Sikurse e dimë të gjithë, zjarri i do spektaklet e mëdha dhe ka lindur për të bërë spektakël dhe skenografi madhështore. Vullkanet dhe tërmetet janë ndër dukuritë e natyrës që i ndryshojnë njëherë e mirë relievet dhe vendet në të cilat kalojnë dhe ndodhin. Duket sikur janë krijuar nga skenografia e ndonjë opere të Vagnerit apo Verdit. Një nga fenomenet natyrore më popullore në Islandë janë gejzerët. Përmes gejzerëve, natyra ka shfaqur anën e saj qesharake dhe fëminore. Është sikur të tallej me veten. Pamja i ngjan një akrobati që përpiqet të mbajë ekuilibrin mbi një fill shumë të hollë peri. Gejzeri është një dukuri që nuk mund të shpjegohet pa u parë vetë me sy, por është më shumë si një mirazh që tani duket dhe më pas nuk është. Por janë njëherazi të rrezikshme, duke qenë se fshehin një zjarr të madh pas tyre.

Ka forma e krijesa të natyrës që në njëfarë mënyre i parathonë veprat e artit si të donin të tregonin faktin se natyra dhe arti janë e njëjta gjë. Edhe zjarri ka gjenitë e tij kreativë, Mikelanxhelot, Gojat, Rembrantët e tij. Kjo dëshirë për forma të përkryera dhe të ndryshme është përcjellë dhe përcillet prej mijëvjeçarësh në peizazhin e planetit, që shpesh i ngjan një ekspozite të madhe e të mahnitshme, që gjithmonë ka vëmendjen tonë. Format që mund të gjesh buzë detit të Islandës, nëpër tokat e vullkaneve të shuar, janë të jashtëzakonshme. Tani janë të rrumbullta, më pas marrin kënde e pak më tuje janë një përzierje e të dyjave. Janë të gjitha “krijime artistike” të një llave mijëravjeçare, që herë pas here “freskohet” nga ndonjë erupsion i ri, që i shton format. Disa forma marrin trajtat e pallateve romake, disa të tempujve athinas, të tjera të xhamive, e të tjera akoma të veprave të mirëfillta të artit të rilindësve e madje edhe impresionistëve. Shpesh, në mesin e shkëmbinjve magmatikë, shtrihet një pjesë e sheshtë në formën e një amfiteatri, sikur natyra të fton të reflektosh dhe të shohësh përtej gjërave të dukshme.

Ne të gjithë mendojmë se llava është sterile. Në fakt, fushat e pafund të mbuluara nga llava e më pas nga hiri i trashë, nënprodukt i llavës, janë hapësira të shkreta e të pajeta. Kështu mendonte poeti i madh italian, Leopardi, ndërsa shihte e shkruante para Vezuvit. Por ja që ne dhe ai bashkë e kishim gabim. Llava e freskët është sterile, por nëse bëhet fjalë për një llavë të mijëra viteve më parë, atëherë kemi të bëjmë me një llavë mbi të cilën është formuar një shtresë toke e veshur me myshk dhe likene që shpesh marrin ngjyra jashtëzakonisht të bukura në kafe të kuqërremtë, apo në një të gjelbër vezulluese. Duket sikur më në fund, pas mijëra vitesh, jeta ka mundur që të çajë dhe të depërtojë nëpër paretet e trasha të llavës. Simbolikisht është shumë domethënëse. Më tutje, sheh pa fund lule alpine të ngjyrave të ndryshme, që dominojnë fuqishëm mbi sterilitetin e llavës gri.

Islanda është e pasur me vullkane të vogla e të mëdha, që në fakt janë si disa porta që çelen mes botës reale e tokësore dhe asaj të nëndheshme. Të dyja kërkojnë që të bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, duke ruajtur ndërkohë edhe distancat e duhura në mbretëritë të cilave u takojnë. Në këtë drejtim, Islanda është një vend që ndodhet nën kërcënimin e vazhdueshëm të përplasjes së këtyre dy forcave të mëdha dhe kjo luftë e brendshme që shpesh del edhe jashtë, ndihet kudo. Kjo është dhe situata e tanishme në ishullin e mbuluar nga akulli dhe zjarri. Hiri i tij tashmë nuk po përhapet vetëm mbi ishull, por edhe mbi gjithë Europën, si një shenjë se tani gjumi i demonëve është trazuar përfundimisht.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat