Disa turistë të huaj, të raportuar më parë të zhdukur në Nepal, kanë kontaktuar autoritetet dhe janë konfirmuar të sigurt, ndërsa vijojnë kërkimet pas përmbytjeve katastrofike të 26 gushtit, ku kanë vdekur të paktën 1118 persona dhe mbi 3900 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Sipas Associated Press, Ministria e Jashtme e Nepalit tha se deri tani janë shpëtuar 324 shtetas të huaj, ndërsa rreth 590 persona nga 39 vende vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, përcjell KosovaPress. Kryeministri australian Anthony Albanese njoftoi se numri i australianëve të zhdukur ka rënë nga 43 në 38, pasi pesë persona u konfirmuan të sigurt. Ndërkohë, të paktën pesë turistë të tjerë të huaj, të raportuar më parë si të zhdukur, kanë kontaktuar autoritetet përmes telefonit ose emailit.
Në anën kineze të kufirit, ekipet e shpëtimit kanë përfunduar ndërtimin e një rruge të improvizuar drejt zonës së katastrofës në portin Gyirong, për të mundësuar kalimin e makinerive të rënda. Zona kufitare ishte përfshirë nga përmbytjet, ndërsa rrugët ishin shkatërruar dhe mbuluar nga uji, balta dhe gurët. Kina ka raportuar veçmas 16 viktima dhe 546 persona të zhdukur.
Katastrofa nisi më 26 gusht në Himalaje, kur shembja e një akullnaje shkaktoi një rrjedhë masive shkëmbinjsh, akulli dhe uji, duke shkaktuar përmbytje të fuqishme në luginat përreth. Ujërat përfshinë lumenjtë që kalojnë përmes Tibetit dhe Nepalit, duke shkatërruar shtëpi, ndërtesa, rrugë dhe ura.