Etiopia dhe Eritrea kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike pasi rifillimi i luftimeve në Etiopinë veriore ngjalli frikën se konflikti mund të përhapet në të gjithë rajonin.
Dje, Etiopia njoftoi mbylljen e ambasadës së saj në Asmara, kryeqytetin e Eritresë. Gjithashtu, ajo urdhëroi dhjetë diplomatë eritreanë të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve, duke e akuzuar Eritrenë për aktivitete që kërcënojnë sigurinë kombëtare, raporton KosovaPress.
Eritrea u përgjigj duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike, duke deklaruar se vendimi i Etiopisë nuk i la asnjë zgjidhje tjetër përveçse të merrte masa hakmarrëse.
Përçarja diplomatike ndodhi vetëm pak orë pasi gjatë natës u dëgjuan shpërthime të fuqishme në kryeqytetin etiopian, Addis Ababa. E gjithë kjo pason një përkeqësim të theksuar të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje. Etiopia akuzon Eritrenë se po mbështet një aleancë të re rebele, një pretendim që Eritrea e mohon.
Kolapsi diplomatik mes dy vendeve afrikane ndodh ndërsa forcat federale etiopiane luftojnë kundër anëtarëve të Frontit Çlirimtar të Popullit të Tigray-t (TPLF) dhe aleatëve të tyre në pjesë të rajoneve veriore Tigray, Afar dhe Amhara. Si qeveria etiopiane ashtu edhe TPLF-ja e akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e konfliktit.