Të paktën 44 civilë janë vrarë në sulmet e militantëve të lidhur me organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS), në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos.
Sulmet janë kryer nga grupi i armatosur Forcat Demokratike Aleate (ADF), në disa fshatra të territorit Mambasa, në provincën Ituri, gjatë periudhës 10-13 nëntor.
Sipas burimeve të sigurisë dhe atyre humanitare, militantët kanë sulmuar banorët me armë zjarri dhe hanxharë, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Zyrtari lokal, Gabriel Tonge, ka bërë të ditur se disa trupa janë gjetur disa ditë pas sulmeve, ndërsa një pjesë e tyre kishin filluar të dekompozoheshin.
Një burim humanitar, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka deklaruar se janë zbuluar 47 trupa, ndërsa burime të tjera lokale kanë ngritur mundësinë që numri i viktimave të arrijë deri në 49.
Megjithatë, numri i saktë i të vrarëve ende nuk është konfirmuar, pasi kërkimet në zonat e prekura vazhdojnë.