Hamiti: LDK ka ruajtur standardet edhe pas 29 viteve

Aktuale

Hamiti: LDK ka ruajtur standardet edhe pas 29 viteve

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 12:40
Sabri Hamiti

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me rastin e 29 vjetorit të themelimit kësaj partie, kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Sabri Hamiti tha se sot janë mbledhur ta përkujtojnë liderin e tyre të ndjerë, e njëherësh, siç e quajti ai, edhe themeluesin e pavarësisë së Kosovës.

Hamiti tha ndër të tjerash që Rugova la pas vetes standarde të larta, që sipas tij duhet të ndiqen nga të gjithë.

Hamiti: Rugova krijoi standarde të larta

“Është e natyrshme dhe e domosdoshme që të bëhen nderimet për themeluesin e LDK-së dhe themeluesin e pavarësisë së Kosovës. Ibrahim Rugova, që në nismë të organizimit të tij politik në Kosovë, ka krijuar standarde të larta të cilat duhet të ndiqen edhe nga LDK-ja, unë mendoj edhe nga qytetarët e Kosovës edhe nga organizimet e tyre. Ai ka krijuar standarde edhe për mënyrën e komunikimit, edhe për mënyrën e komunikimit në organizim politik, se solidariteti është domosdoshmëri në organizimet e rëndësishme nacionale”, ka thënë Hamiti.

Ndërkaq, Hamiti tha se pavarësisht ndryshimeve gjatë këtyre tri dekadave, normat rugoviane në LDK kanë mbetur të njëjtat, për të cilat tha se janë bërë premisa të zhvillimit dhe veprimit të kësaj partie.

Hamiti: Në LDK kanë ndryshuar rrethanat, por jo edhe standartet

“Do të ishte absurde të thuhet se LDK është si para 29 viteve. Jo, nuk mund të jetë e njëjtë. Edhe këto fjalë që i thashë në fillim, u përpoqa të them se standardet, normat, kriteret e veprimit, LDK-ja s’mund të ketë tjera përpos këtyre. Veprimi politik dhe lëvizjet shoqërore në Kosovë janë krejt të tjera. Brezat ndërrojnë, secili e ka sensibilitetin e vet. Çështja është që organizimet e tilla duhet të veprojnë në kohë, në rrethana që nuk janë njësoj, por standardet duhet të ruhen”, ka deklaruar Hamiti.

Pas homazheve te varri i Rugovës, LDK ka vazhduar me një manifestim kushtuar 29 vjetorit të themelimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat