Kushti ‘fantazmë’ i PSD-së për Qeverinë Haradinaj - Bota Sot
Kushti ‘fantazmë’ i PSD-së për Qeverinë Haradinaj

Aktuale

Kushti ‘fantazmë’ i PSD-së për Qeverinë Haradinaj

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 20:18
Takimi i Ramush Haradinajt me Shpend Ahmetin

Partia Socialdemokrate pak ditë pasi kryetari i saj, Shpend Ahmet, e mori kryesimin e ekipit negociator në dialogun me Serbinë, vendosi që ta votojë Ligjin për buxhetin në lexim të parë.

Vendimin për të votuar një nga ligjet më të rëndësishme të Qeverisë, PSD e mori duke i vënë kushte kryeministrit Ramush Haradinaj.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, i përmendi 5 kushte për votën e tyre.

Kushtet e kërkuara nga PSD, e të bëra publike në Kuvend e përmes konferencave për media janë: Ligji për Dialogun, Ligji për Qeverinë, që nënkupton zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave, Ligjit për paga, shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe draftimin e Kodit pensional dhe reformën e plotë të këtij kodi që do të udhëhiqej nga PSD.

Mirëpo, për Haradinaj kushtet e PSD-së janë tjera. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tash e disa ditë që nëpër paraqitje publike, kur përmend kushtet e PSD-së për miratimin e buxhetit, po e përmend edhe ligjin për financimin e partive politike, e po “harron” ligjin për Qeverinë, që do ia shkurtonte numrin e zëvendësministrave.

“Mendoj që në një të ardhme kur t’i drejtohemi Parlamentit  do të bashkëpunojmë, kemi Ligjin për pagat, Ligjin për financimin e partive politike. Pra jemi sjellë me respektin më të madh. Edhe çështja  e ministrit Rikallo ka legjitimitetin e vet dhe si e tillë do të trajtohet me seriozitet”, kishte thënë Haradinaj të hënën pas mbledhjes së Qeverisë.

Haradinaj edhe gjatë ditës së djeshme, duke u përgjigjur për kushtet e PSD-së, e përmendi si një nga kërkesat e kësaj partie  Ligjin për financimin e partive politike.

“Të gjitha kërkesat që i kam marrë prej PSD-së janë legjitime, si ajo për Ligjin për dialogun, Ligjin për pagat, Ligjin për financimin e partive politike, Ligjin për skema pensionale”, ka thënë Haradinaj gjatë ditës së djeshme.

Mirëpo, PSD beson se kjo është veç një keqkuptim.

“Mund të jetë ndonjë keqkuptim. Ne kemi 5 kushte të cilat janë publike”, tha për Kallxo zëdhënësja Natyra Kuçi.

Sipas saj, nga 5 kushtet që i ka vënë PSD-ja Qeverisë, ky Ligj nuk është brenda.

“Partia Socialdemokrate ka bërë publike 5 kushtet e saj, ku nuk është ky ligj, për të cilin po angazhohet grupi ynë parlamentar në Kuvend”, shtoi ajo.

Kallxoi ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit, mirëpo ata nuk janë përgjigjur gjatë ditës.

Në anën tjetër Valmir Ismaili nga Demokracia Plus (D+), vlerëson në këtë ‘pazar’ indikacionet tregojnë se janë më shumë se 5 kushte të vendosura nga PSD-ja karshi Qeverisë së Kosovës.

“Si duket është edhe një kusht i gjashtë i vënë nga PSD por nuk e ka bërë publik. Ky është kushti për ndarjen e fondeve për subjekte politike. Ky kusht është përmendur nga z. Haradinaj në disa prononcime të tij. Kjo shihet qartë nëse e krahason projektligjin që ishte dërguar në Kuvend para tërheqjes nga Qeveria dhe projektligjit aktual”, tha ai.

Tutje Ismaili për Kallxo ka sqaruar ndryshimet e bëra në projektligjin aktual i cili sipas tij e favorizon PSD-në.

“Në projektligjin aktual është shtuar një paragraf ku thotë: “përveç nëse në rastet kur nga i njëjti subjekt politik, pas vërtetimit të mandateve, largohen gjashtë (6) e më shumë deputet, atëherë këta deputetë mund të bartin mjetet, të ndara sipas paragrafit 1 të këtij neni, në një subjekt tjetër politik të regjistruar pranë KQZ-së ose në subjekt të ri politik që regjistrohet në KQZ”, tha Ismaili për Kallxo.

Në mars të këtij viti, 12 deputetë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, pas problemeve në këtë parti, themeluan fillimisht grupin e pavarur të deputetëve.

Ndërsa në maj, ata kaluan në partinë e Kaqusha Jasharit, PSD.

Ndërsa për idenë e zvogëlimit të numrit të zëvendësministrave, ai thotë se kjo mund të bëhej përmes një vendimi të Qeverisë, pa pasur nevojë të pritej për miratimin e ligjit.

“Numri i zëvendësministrave do të mund të zvogëlohej me vendim qeveritar dhe nuk do të kishte nevojë që të pritej miratimi i ligjit i cilit mund të zvarritet me muaj apo edhe mos të marrë fare miratimin në Qeveri”, tha tutje ai.

Në Qeverinë e Kosovë janë të emëruar mbi 80 zëvendësministra për 23 ministri. Madje, në disa ministra janë të emëruar edhe 6 zëvendësministra.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...