Policia me forca shtesë për ndërrimin e motmotit - Bota Sot
Policia me forca shtesë për ndërrimin e motmotit

Aktuale

Policia me forca shtesë për ndërrimin e motmotit

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 17:00
Ramush Haradinaj dhe Rashit Qalaj

Ndërkohë që na ndajnë dhe disa orë para festës së ndërrimit të motmotit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dalë me një apel për të gjithë qytetarët e vendit.

Duke shprehur mirënjohjen për punën që bën Policia e Kosovës për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, kreu i Qeverisë së vendit porositi qytetarët të kenë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve.

Haradinaj: Qytetarët të kenë kujdes me mjetet piroteknike

“Ata punojnë që ne të festojmë të qetë. Kam marrë, po ashtu, edhe një premtim që do të ketë një mobilizim të nevojshëm. Bëj apel te qytetarët që të kenë kujdes me mjetet piroteknike dhe të mos gjuajnë me armë zjarri. E dimë se ka pasur në të kaluarën edhe të plagosur dhe raste tragjike, njëkohësisht i lus qytetarët që mos të drejtojnë makinat në ndikim të alkoolit”, ka thënë Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se me qëllim që nata e Vitit të Ri të kalojë e qetë, kanë angazhuar edhe njësi policore shtesë.

Ai madje foli edhe për mbledhjen që kanë mbajtur sot si institucion i sigurisë ku u diskutua edhe për grabitjet e fundit që po ndodhin në vende të ndryshme.

Qalaj: Kemi vendosur forca shtesë për të ofruar siguri për qytetarët

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur që qytetarët e Kosovës të kenë një siguri sa më të madhe sidomos që sonte që duhet të jetë nata e gëzimeve, mirëpo në vazhdimësi ne do kemi shumë punëtorë që do punojnë sonte gjatë natës dhe do kemi forca shtesë që janë përgjegjëse për siguri dhe mbarëvajtje që ta kemi një natë sa më të mirë. Çështja e takimit që kam pasur sot me drejtuesit sidomos të Drejtorisë rajonale të Prishtinës, ka të bëjë me fushën e sigurisë, jo vetëm grabitjeve. Por ka qenë pjesë e veçantë edhe diskutimi i çështjes së grabitjeve që kanë ndodhur gjatë këtyre ditëve të fundit, e sidomos gjatë natës së kaluar. Normalisht që kemi rritur efektivat tona që të kemi sa më shumë policë  edhe të rendit, por edhe të njësive speciale kudo në Prishtinë dhe Kosovë“, u shpreh Qalaj.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj gjatë ditës së fundit të vitit 2018 ka vizituar edhe zjarrfikësit, Klinikën e Gjinekologjisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...