Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se pati një takim me homologon e tij gjerman, Heiko Maas.
Përmes një statusi Pacolli ka shkruar se Gjermania është dëshmuar si partner strategjik dhe aleat i palëkundur i Kosovës nëpër të gjitha fazat e shtet-ndërtimit.
“Gjermania mbështet fuqishëm normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi, proces i cili nënkupton epilog të njohjes reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.”, ka shkruar Pacolli, përcjell Bota Sot
Më poshtë shihni reagimin e tij të plotë:
Nder, respekt dhe mikëpritje e pashembullt nga homologu im gjerman, Heiko Maas, i cili më priti në vizitë shtetërore sot në Berlin.
Takim shumë miqësor, konstruktiv dhe pëmbajtësor. Gjermania është dëshmuar si partner strategjik dhe aleat i palëkundur i Kosovës nëpër të gjitha fazat e shtet-ndërtimit. Është partneri i fuqishëm tregtar me vendin tonë, por ne presim dhe thërrasim për investime edhe më të mëdha gjermane në Kosovë, që do të ndihmonin në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës për shtetasit tanë.
Gjermania mbështet fuqishëm normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, proces i cili nënkupton epilog të njohjes reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.