Avokati Koci: Remi dhe Sami Lushtaku janë në Kosovë, në vikend udhëtojmë për në Hagë - Bota Sot
Avokati Koci: Remi dhe Sami Lushtaku janë në Kosovë, në vikend udhëtojmë për në Hagë

Aktuale

Avokati Koci: Remi dhe Sami Lushtaku janë në Kosovë, në vikend udhëtojmë për në Hagë

Më: 10 janar 2019 Në ora: 23:18
Arianit Koci

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci, i cili në Gjykatën Speciale do të mbrojë dy komandantët e shquar të UÇK-së, Rrustem Mustafën dhe Sami Lushtakun, i ka hedhur poshtë raportimet e mediave serbe se sonte këta dy komandantë janë nisur me aeroplanë të posaçëm nga Prishtinë për në Hagë.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këto spekulime. Kjo është formë e luftës speciale nga Serbia”, ka thënë Koci.

Sipas tij, ai bashkë me Remin dhe Sami Lushtakun do të udhëtojnë nga Prishtinë për në Hagë me linjë të rregullt ajrore”, ka thënë Koci.

Ai tutje ka shtuar se udhëtimi do të ndodh këtë vikend.

Lushtaku dhe Mustafa pritet të paraqiten në Gjykatën Speciale, në Hagë, më 14 janar, të hënën.

Raportimi i mediave serbe

Aeroplanët me të ftuarit e parë nga Gjykata Speciale sonte janë nisur nga Prishtina?

Tre aeroplanë të vegjël civilë kanë fluturuar sonte nga pjesa ushtarake e Aeroportit të Prishtinës, kurse burimet thonë se aty ishin ish pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas rts-it, bëhet e ditur se ata në ditët në vazhdim do të japin deklaratë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se në grupin e parë do të dëgjohen komandantët nga zona operative e Llaput dhe Drenicës, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku.

“Pak pas nises së aeroplanëve nuk është bërë e ditur se kush saktësisht gjenden aty, por burime në Prishtinë kanë thënë se në Hagë kanë udhëtuar ish pjesëtarët e UÇK-së, të cilit do të merren në pyetje nga hetuesit në Gjykatën Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së”, raporton televizioni shtetëror serb.

Tutje ky televizion thekson se në aeroplanë nuk gjendet ish komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili është i shtrirë në spital dhe Rezmi Shala, i cili nuk dihet se ku gjendet.

“Kemi informacione që grupi i parë, i cili më 14 janar do të jep deklaratë para Gjykatës Speciale, do të jetë komandanti Rrustem Mustafa i njohur si Remi dhe Sami Lushtaku. Ata kanë thënë se do t’i përgjigjen ftesës”, ka thënë Gashi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...