LDK distancohet nga deklaratat e Skender Hysenit

Aktuale

LDK distancohet nga deklaratat e Skender Hysenit

Më: 11 janar 2019 Në ora: 15:05
Konferenca per media

(E plotësuar) -  Lidhja Demokratike e Kosovës është distancuar nga deklaratat e ish-ministrit të punëve të Brendshme, dhe anëtarin e kryesisë së këtij subjekti, Skender Hyseni, i cili ka thënë se rrëzimi i Qeverisë do të ndikonte negativisht për vendin.

Madje, kreu i kësaj partie, Isa Mustafa përsërit se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi.

Në një konferencë për medie, pas takimit me kryetarët e degëve, Mustafa tha se LDK është e preokupuar me mënyrën se si po udhëhiqet vendi, pasi sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe koalicioni qeverisës e kanë lëshuar rrugën e konceptit të ekonomisë së tregut dhe ka filluar të ndërtojë një shtet social, duke zgjuar kështu sipas tij, një pakënaqësi të brendshme.

Mustafa: Nuk e përkrahim deklaratën e Skënder Hysenit sa i përket rrëzimit të Qeverisë

“Për ta rrëzuar Qeverinë duhet të jem i sinqertë me iu duhet të kemi vota dhe tani ne kemi votat e LDK-së dhe jam i bindur sa i përket votave të LDK-së, asnjë nuk na mungon, asnjëri nuk sëmuret ditën që kishim me e votua, as nuk ka punë të tjera jashtë. Sa i përket partive të tjera nuk mund të flas për to, sa i përket Vetëvendosjes ata janë deklaruar, tash një parti tjetër në Kuvend po bashkëpunon me koalicionin qeverisës dhe në momentin që ne i kishim bë votat, nesër me i bë votat disponimi jonë është që këtë qeveri ta rrëzojmë... Unë mund të iu them shkurt se nuk pajtohem me atë deklaratë (të Skender Hysenit) si kryetar i LDK-së dhe mund të iu them gjithashtu që nuk pajtohet LDK-ja”, tha Mustafa.

Duke nisur nga vënia e taksës prej 100 përqind për mallrat serbe, dialogun në Bruksel e çështje të tjera, Mustafa thotë se Qeveria Haradinaj nuk e ka vënë në pikëpyetje raportet e Kosovës me BE-në.

Ai ka komentuar edhe letrën e presidentit amerikan, Donald Trump, dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Derisa u shpreh se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë përgjegjëse për dialogun, pasi kjo është përgjegjësi e Qeverisë.

LDK sipas Mustafës në këtë proces i mbetet besnike dokumentit të saj mbi bazat e zhvillimit të këtij dialogu.

Mustafa: Qeveria e Kosovës e pakujdesshme ndaj letrës së Trumpit

“Për ne po ashtu është e pakuptimtë që institucionet e Republikës të Kosovës, në momentin kur Kosova ka marrë një letër nga presidenti Trump, në të cilën kërkohet që çdo palë të përmbahet nga veprimet dhe nga vendimet të cilat i bëjnë dëm procesit të dialogut dhe të njohjes reciproke, Qeveria e Kosovës për arsye të veta më shumë populliste, i shton masat e taksës 100 përqind dhe shton nomeklaturën e mallrave të kësaj takse ën vend se të ketë konsideratë ndaj një letre që na vjen nga një president i një shteti të veçantë mik dhe, nga i cili varet edhe marrëveshja, por edhe ardhmëria e Kosovës”, u shpreh ai.

Ai nuk ndjehet i penduar për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president, meqë sipas tij, LDK është një parti e cila u përmbahet marrëveshjeve.

Mustafa: Nuk pendohemi që e votuam Thaçin president

“S’mund të pendohem sepse nuk është bërë për interesa të veçanta, por është bërë sepse në atë kohë ne kemi vlerësuar se duhet me e bë prapë Qeverinë që të mos ta bimë vendin në krizë dhe z. Thaçi na e kemi votu për president sepse kemi respektu marrëveshjen. Dhe, ne do ta respektojmë çdo marrëveshje që nesër e bëjmë me një partner të koalicionit. Nëse se ka respektu z.Thaçi dhe PDK-ja, është problem i tyre, problem i atij që e shkel marrëveshjen, dhe ky problem na bie tani tek ky mosbesim”, u shpreh Mustafa.

Njëherësh, i pari i LDK-së u shpreh se atëkohë ka qenë i kënaqur me punën e ministrave të PDK-së dhe LDK-së.

Sipas tij, e arritura e tyre më e madhe ka qenë në Bruksel, ku e kishin bindur presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të pajtohej se Asociacioni mund të bëhet vetëm nëse Gjykata Kushtetuese thotë ashtu.

Përndryshe, Mustafa është i bindur se partia e tij e ka besimin e qytetarëve me rreth 27-30 përqind të tyre. Ndërsa thotë se do të fokusohen në dy çështje: uljen e papunësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

 Mustafa: Nuk pendohem që e zgjodhëm Thaçin President

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është e preokupuar me mënyrën se si po udhëhiqet vendi dhe se e më e udhës do të ishte që kjo qeveri të shkojë në shtëpi.

Kreu i kësaj partie Isa Mustafa, ka numëruar një serë kritikash në adresë të qeverisë Haradinaj, duke nisur nga vënia e taksës prej 100 përqind për mallrat serbe, dialogun në Bruksel e çështje të tjera. Madje Mustafa thotë se politikat e kësaj qeverie kanë vënë në pikëpyete raportet e Kosovës me BE-në.

“Ne konsiderojmë se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi. Kjo Qeveri na ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me BE-në. Ne e kemi vlerësuar letrën e presidentit Trump. Për neve është e pakuptimtë që në kohën kur Kosova ka marr këtë letër që të përmbahet nga veprimet, Qeveria e Kosovës i shton masat 100 përqind, në vend që të ketë konsideratë për një letër që na vjen nga një shtet që varet edhe e ardhmja e shtetit të Kosovës", ka thënë Mustafa.

Megjithatë, Mustafa nuk ndjehet i penduar për zgjedhjen e Hashim Thaçit President, meqë sipas tij, LDK është një parti e cila u përmbahet marrëveshjeve.

"Unë fare nuk jam i penduar sepse Kushtetuta na ka pru në këtë situatë që nuk mund të qeverisim vet. Dhe, z. Thaçi e kemi votuar për President sepse e kemi zbatuar marrëveshjen. Unë mendoj që kam qeverisur në mënyrë korrekte dhe sot them që ata njerëz, ministrat e LDK-së kanë punuar mirë. Unë nuk pajtohem me diskursin politik që e ka tani PDK-ja”, tha Mustafa.

I pari i LDK-së është i bindur se partia e tij e ka besimin e qytetarëve me rreth 27-30 përqind të tyre. Ndërsa thotë se do të fokusohen në dy çështje: Uljen e papunësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa tha se do të japin kontributin e tyre në mënyra të tjera, por se Qeveria është ajo që duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për këtë çështje.

"Ne jemi deklaruar se ne do ta japim kontributi tonë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkombëtarëve iu kemi thënë që do të vazhdojmë të punojmë me ta, por Qeveria duhet ta merr përgjegjësinë e vet për dialogun dhe këtë përgjegjësi të mos e hedh tek opozita", tha Mustafa. 

Mustafa: Qeveria sa më parë të shkoj në shtëpi, po i vë në pikëpyetje marrëdhëniet me BE-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka hedhur një sërë kritikash ndaj Qeverisë së Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn.

Në një konferencë për media, Mustafa ka thënë se Qeveria e ka humbur konceptin e një ekonomie, të cilën ishin betuar se do ta bëjnë.

Sipas Mustafës, kjo qeveri duhet të ndërroj sjelljen e vet, duhet sa më shpejt të shkoj në shtëpi, sepse i ka në vënë në pikëpyetje marrëdhëniet me BE, MSA-në, implementimin e agjendës së reformave evropiane e që do ta drejtonte vendin drejt BE.

“Qeveria dëshiron tu hedh hi syve qytetarëve duke i  gjuajtur fajin bashkësisë evropiane. E kemi vlerësuar letrën e presidentit Trump dhe mobilizimin e të gjitha institucioneve të Kosovë që dialogu të shkoj karshi SHBA-ve, sepse në letër pamë një angazhim të SHBA-ve e që e përshëndesim. Është e pakuptimë që institucionet e Kosovës në momentin kur vendi ka marr një letër ku thuhet që çdo palë të përmbahet nga veprimet, Qeveria për arsye të veta po i shton masat e taksës 100% në vend që të ketë konsideratë letrën që vjen nga presidenti i një shteti të veçantë, nga e cila varet edhe marrëveshja”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të marrin përgjegjësinë për dialogun, e cila nuk është marr në konsideratë kur janë tri koncepte: një me presidentin e vendit për korrigjim kufijsh, një koncept për draftin e marrëveshjes së qeverisë me të cilën kryeministri e nxjerr vetën nga roli i dialoguesit dhe në konceptin e grupit që ka përcaktuar parlamenti, e që sot në kokë më vete dalin me nga një propozim.

“Si LDK në këtë proces mbesim besnik dokumentit tonë mbi bazat e zhvillimit të dialogut dhe ai dokument përfaqëson politikën e shumicës dërmuese të partisë. Dialogu duhet të përfundoj në dobi dhe në interes të qytetarëve të Kosovës, duke përmbyll të gjitha problemet. Kemi besimin më të madh të gjithë qytetarëve, sepse përkrahja sillet prej 27-30% nga qytetarët, e këtë do ta rrisim edhe më tutje, sepse jemi përcaktuar të punojmë më së shumti në çështjet që i preokupojnë qytetarët. Do të koncentrohemi në punësimin dhe papunësinë, që është problemi më i madh e që shkakton që qytetarët të ikin nga Kosova si dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Do të marrim përgjegjësinë që LDK-së i takon si partia me grupin parlamentar më të madh në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë tutje Mustafa.

Ai ka përsëritur se qeveria duhet të shkarkohet dhe se LDK ka disponim që ta rrëzoj qeverinë, jo pse ia ka inat.

“Nuk ka asnjë hendikep për Kosovën nëse rrëzohet një Qeveri që ka mbi 80 zv/ministra e shumë ministra me aktakuza. Unë përfaqësoj qëndrimet e LDK-së, e që janë se Qeveria duhet të rrëzohet”, ka shtuar Mustafa.

Sipas tij, nuk është veprim i mirë që mos të respektohet letra e presidentit Donald Trump, pasi pa mbështetjen e SHBA-ve, Kosova nuk do të bëhej asnjëherë shtet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat