VOA: Gjykata e Posaçme fillon intervistimin e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Aktuale

VOA: Gjykata e Posaçme fillon intervistimin e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Më: 13 janar 2019 Në ora: 18:26
Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së Drenicës

Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, do të fillojë të hënën më 14 janar në Hagë intervistimin e një numri të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dielën për në Hagë janë nisur disa nga ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare. Rrustem Mustafa, komandant i Zonës Operative të Llapit i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së Drenicës dhe disa syresh që tashmë kanë marrë ftesë për t’u paraqitur në Porkruorinë e Posaçme.

Avokatët e të ftuarve kanë bërë të ditur se klientët e tyre “do të paraqiten vullnetarisht dhe janë të gatshëm të sqarojnë çdo rrethanë të cilën Zyra e Prokurorit është duke e hetuar”.

Në mesin e atyre që kanë marrë ftesë është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Ftesat janë dërguar gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar pas një vizite të kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara, siç quhet Gjykata e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Jack Smith.

Disa nga ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare tashmë janë intervistuar në Prishtinë, në zyret e misionit të Eulex-it.

Në zyrën e prokurorit të posaçëm nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj ftese.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtare.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të vitit 2018, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”. Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat