Për idealet dhe vizionin e Rugovës duhet edhe shumë punë

Aktuale

Për idealet dhe vizionin e Rugovës duhet edhe shumë punë

Më: 21 janar 2019 Në ora: 13:58
LDK tek familja Rugova

Në përvjetorin e 13-të të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i tij. Ata po ashtu kanë bërë vizitë edhe te familja Rugova.

Në këtë përvjetor u tha se për idealet e tij për një Kosovë paqësore dhe të zhvilluar ekonomikisht, duhet edhe shumë punë për t’u bërë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se edhe  kundërshtarët më të mëdhenj, janë përulur pas vdekjes së tij.

Ai ka përmendur grevat dhe protestat në vend, duke shtuar se edhe faktori  ndërkombëtar me Kosovën është në marrëdhënie tensionuese.

Haziri: Duhet edhe shumë punë për të t’u arritur idealet dhe vizionet e Rugovës

“Idealet e tij për një Kosovë paqësore dhe të zhvilluar ekonomikisht, krenaret në traditat e veta dhe historinë e vet ka shumë për bërë. Qe sot Kosova është në protesta, sot Kosova është në grevë. Është një lloj kryengritje politike e brendshme që po shpërthen nga pakënaqësitë e ndryshme. Sot raportet edhe me fqinjët, edhe me faktorin ndërkombëtarë, Kosova është në marrëdhënie tensionuese fatkeqësisht dhe natyrisht është jashtë formatit dhe jashtë ideologjisë së rugovizmit që ai e ka lënë”, ka përfunduar Haziri.

Haziri thotë se ai ka qenë një politikan i pazëvendësueshëm dhe i pa arritshëm.

Haziri: Sot është përvjetor i madh

 “Ky përvjetor i ndarjet nga jeta i presidentit historik dhe themeluesit të Republikës, është përvjetor i madh që ne me respekt dhe deri në gjunjëzim e respektojmë, veprën mbi të gjitha që e ka lënë prapa. Ka lënë një ideologji, e cila po vazhdon me shtetndërtim, në ruajtjen e Republikës , në ndërtimin e paqes për të gjithë njerëzit, ndërtimin e paqes në regjion. Në luftën në paqe arma e tij ka qenë dialogu, durimi politikë, toleranca politike dhe respekti për më të vegjlit dhe më të dobëtit”, tha ai.

Në përvjetorin e vdekjes së Rugovës, ka folur edhe akademiku Sabri Hamiti. Ai tha se Rugova ishte burrë i pjekur intelektualisht, duke vlerësuar lartë idetë e tij të shtet-ndërtimit.

Hamiti: Rugova ka qenë burrë i pjekur intelektualisht

“Rugova ka qenë burrë i pjekur intelektualisht, i marum kur u maru LDK-ja. Ai u bo intelektual ekselent edhe pa u formu LDK-ja, veprimtaria është pjesa e dytë e tij. Por, edhe këtu është bërë ekselent, kështu që pak si vështirë është të bëhen dyjat, është fat i Kosovës. ...Si gjithmonë e kujtojmë, jo vetëm sot, por do ta kujtojmë gjithë. Natyrisht sot është një ditë që e kujtojmë më veçantë. Që e ka brena dhimbjen, patjetër, por e ka edhe trashëgiminë që jeta pakufi nuk është e askujt...Unë mendoj që Rugova gjithnjë e më tepër kujtohet, bile kujtohet më i kulluem në idetë e tij, që i prodhon koha. Kështu që trashëgimtarët nëse e kanë marrë këtë trashëgimi... Juve ju kujtojmë se jeni familje”, ka thënë ai.

Rugova më 23 dhjetor të vitit 1989, u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë.

Më  21 janar të vitit 2006 ka vdekur ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Ai aso kohe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat